Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.07.2019 02:36

​RrGK: Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit

Prishtinë | 16/05/2019 16:58

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka akuzuar deputeten Flora Brovina për shkelje të dinjitetit të mbijetuarave të luftës me rastin e publikimit të një fotografie që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

Sipas RrGK-së, Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. 

“Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psikike të të mbijetuarës. Për më tepër mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale”, thuhet në reagim. 

RrGK u bën thirrje mediave që të largojnë dhe të mos e shpërndajnë këtë fotografi, e cila shkel dinjitetin e viktimës të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik. 

RrGK ju bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarave, dhe të punojnë në ruajtjen e dinjitetit të tyre duke mos i ritraumatizuar ato dhe familjarët e tyre.

“Ky veprim i zonjës Brovina nuk ka kontribuuar  në arritjen e drejtësisë, gjetjen e kryesve të këtyre krimeve apo trajtimin e dinjitetshëm të  mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet më tej në reagim. 

RrGK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të kërkojnë llogari nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare për trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress