Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 22.11.2019 08:11

​​Radio Gjakova shënon 4 dekada punë, vlerësohet si simbol i qytetit

Prishtinë | 09/11/2019 16:18

Gjakova sot kremtoi një jubile të rëndësishëm të themelimit të mediumit të parë të saj të informimit, 40-vjetorin e punës dhe të veprimtarisë së Radio Gjakovës.

Për katër dekada të veprimtarisë së kësaj radioje, sot në Pallatin e Kulturës “Adim Vokshi” në Gjakovë u organizua një akademi solemne ku u tha se radioja e këtij qyteti la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në informimin e drejtë dhe të gjithanshëm të qytetarëve por edhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta kombëtare të kulturës, artit dhe muzikës.

Në fund të viteve të 70-ta kur Gjakova po përjetonte një zhvillim të gjithanshëm, mozaikut të strukturës së institucioneve, më 9 nëntor të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova, dhe u dëgjua në etër “Ju flet Radio Gjakova”.

Nëntë punëtorët e parë të Radio Gjakovës, të udhëhequr nga drejtori dhe kryeredaktori i parë i saj Ali Saraqini, shënuan fillim të bujshëm të zhvillimit të këtij mediumi lokal të informimit, që u pasua me shtrirje dhe rritje të vazhdueshme programore si në cilësi ashtu edhe në sasi.

Drejtori aktual i Radio Gjakovës, Skënder Gola, në fjalën e tij në këtë akademi tha se mediumi që drejton ka kaluar në shumë sfida. Ai përmendi korrikun e vitit 1990 kur pushteti i atëhershëm okupues serb i dëboi dhunshëm nga puna.

Për 9 vitet pasuese ,Radio-Gjakova nuk foli shqip. Punonjësit e saj u nxorën në rrugë nga pushtuesit serbë dhe popullsisë me rreth 98% shqiptarë iu imponua radio-program në gjuhën serbe.

Megjithatë, më 14 qershor të vitit 1999, në ditën e çlirimit të Gjakovës nga okupimi serb, serish jehoi në eter fjala shqipe: “Ju flet Radio-Gjakova”. Për Golën, kjo ishte rilindja e dytë e Radio-Gjakovës.

Në dekadën e katërt të punës, synimet ambicioze të redaksisë së këtij mediumi janë që Radio Gjakovën ta shndërrojmë edhe në qendër televizive, por në mungesë të bazës së nevojshme materiale, u tha se synimet mbetet të presin ditë më të mira.

Në mungesë të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emër të Kuvendit Komunal uroi drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, e cila tha se radio edhe pse ishte sfiduar në këto 40 vite nuk e ka tradhtuar misionin dhe dëgjuesin e saj besnik.

Ajo tha se Radio Gjakova është simbol i këtij qyteti dhe një vlerë të shtuar për komunën. Hyseni uroi që zëri i kësaj radioje të dëgjohet në tërë vendin dhe jo në rajonin e Gjakovës.

Në fund të kësaj akademie, Radio Gjakova nderoi të gjithë punonjësit e saj, ndërsa në skenën e pallatit të kulturës u panë edhe punëtorët e parë të cilët kishin nisur punën para 40 vitesh, një pjesë e të cilëve tashmë edhe në pension./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress