Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 17.08.2019 08:24

​Qeveria e indinjuar me lirimin e Solajas: Të tilla veprime nuk çojnë drejt pajtimit

Prishtinë | 11/08/2019 13:29

Miodrag Solaja, i dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk e përfundoi dënimin e tij. I dënuari për ekzekutimin e shtatë fëmijëve në oborrin e një shtëpie në vitet 1998-99 në Kosovë, u lirua nga burgu në Serbi tre vjet para se të përfundonte dënimin e tij. Në Qeverinë e Kosovës janë shprehur të indinjuar me këtë lirim, ndërkohë kanë deklaruar se nuk ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët lihen të lirë.

Veprimin e Serbisë, duke i dhënë lirim të parakohshëm të dënuarit për krime Miodrag Solaja, Qeveria e Kosovës po e konsideron tallje me viktimat e luftës.

Kjo po quhet vrasje e dyfishtë, në veçanti për familjarët të cilat posedojnë dëshmi për krimet e Serbisë në Kosovë.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress se po dëshmohet që Serbia nuk është e interesuar për drejtësi dhe vetëm po luan lojëra për përfitime të saj karshi Bashkimit Evropian.

Miodrag Solaja kishte luftuar në kuadër të njësisë e njohur si “Akrepat”, gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Sipas Llukës, “Akrepat” mendohet të kenë kryer edhe krime të tjera, përveç vrasjes së 14 civilëve.

Ai e konsideron absurd edhe vendimin për vetëm 15 vjet burg për Miodrag Solaja, derisa dihej se ai kishte ekzekutuar 14 njerëz.

Për lirimin e tij, reagoi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës.

Miodrag Solaja ishte dënuar në vitin 2008, për pjesëmarrje në vrasjen e 14 civilëve në Podujevë të Kosovës, më 28 mars 1999.

“Akrepat”, të cilët i shërbenin Sllobodan Millosheviqit, në atë kohë po vendoseshin në shtëpi të braktisura në Podujevë ku gjetën tri familje shqiptare.

Ata i rreshtuan dhe i qëlluan për vdekje, ku 14 prej tyre vdiqën dhe pesë fëmijë mbijetuan, në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci, sot deputete në Kuvendin e Kosovës. “Akrepat” vranë shtatë të mitur dhe qëlluan Bogujevcin më 16 plumba.

Miodrag Solaja u dënua më 14 vjet burg, pas një viti qëndrim në paraburgim. Gjykata e Lartë e Beogradit i dha lirimin e parakohshëm më 23 korrik të këtij viti./G.Kadrija/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress