Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 22.11.2019 02:01

​Protestojnë punëtorët e “Infrakosit”: Menaxhmenti të ndalë luksin dhe të na japë pagat

Prishtinë | 08/11/2019 09:47

Punëtorët e “Infrakosit” sot kanë mbajtur një protestë njëorëshe prej orës 08:00 deri në 09:00, pasi që ka vonesa në marrjen e pagës së muajit shtator dhe tetor.

Krahas pagave të këtyre dy muajve, punëtorët e kësaj kompanie hekurudhore kanë kërkuar edhe shlyerjen e borxhit të trustit pensional.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur "Infrakos", Hysen Nikqi tha se sot përmes kësaj proteste njëorëshe po e shprehin revoltën karshi menaxhmetit i cili nuk po i plotëson kërkesat minimale të këtyre punëtorëve.

Përpos pagës dhe trustit, ai tha se kërkohet edhe që punëtorët e shërbimit ekzekutiv të pajisen me uniforma dhe rroba mbrojtëse si dhe të bëhet pagesa e borxheve të anëtarësisë së Sindikatës për muajt e kaluar të vitit 2019.

Nikqi tha se situata po vështirësohet pasi për gjendjen e krijuar askush nuk po merr përgjegjësi dhe se kërkesat e tyre ndër vite kanë hasur në vesh të shurdhër.

Nikqi shtoi se për kërkesat e punëtorëve menaxhmeti është i njoftuar tash e 2 javë dhe se nëse nuk ndërmarrin asnjë veprim do të vazhdojnë me grevë të përgjithshme.

"Fatkeqësisht nuk është realizuar asnjë prandaj për këtë janë mbledhur e gjitha masa e punëtorëve këtu. Si arsyetim e japin se nuk ka pare, mjete ndërsa luksi i menaxhmetit nuk ndalet kurrë me dreka, darka, makina. Sot është paralizuar qarkullimi i trenave në gjithë territorin e Kosovës. E njëjta do të ndodh edhe të hënën dhe do të na dërgojnë deri në grevën absolute të gjithë punëtorëve", tha kryesindikalisti.

Fadil Orllati, mbikëqyrës i binarëve në “Infrakos” tha se që tre muaj gati janë pa paga dhe mezi po ia dalin t'i kryejnë obligimet edhe ndaj bankave.

Edhe Shaip Nuredini ka kritika ndaj menaxhmetit të “Infrakosit”. Sipas tij menaxhmenti nuk po jep asnjë arsyetim për këto vonesa të pagave të tyre.

Nuredini ka ankesa edhe për kushtet e punës.

Punëtorët e “Infrakosit” do të protestojnë edhe të hënën nga ora 8:00 deri në ora 10:00, për të vazhduar edhe të martën nga ora 8:00 deri në ora 12:00.

Kujtojmë që punëtorët e “Infrakos” kanë protestuar edhe në pranverën e këtij viti për shkak të vonesave të pagave të tyre./KosovaPress/


Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress