Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 15.12.2018 01:41

​Përkujtohet masakra më e madhe në Mitrovicë

Mitrovicë | 14/04/2018 14:33

Në 19 vjetorin e masakrës më të madhe në qytetin e Mitrovicës, ku ishin vrarë 31 veta nga ana e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, përfaqësues të institucioneve komunale kanë vendosur sot lule dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore me emrat e viktimave.

Të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave dhe një numër i qytetarëve.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha me këtë rast se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore kriminale serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

Sipas tij, sot është një ditë plot dhimbje, ditë pikëllimi e mallëngjimi, por gjithsesi ditë krenarie, sepse fal tyre sot gëzohet liria.

Ai premtoi se vitin e ardhshëm, atëherë kur do të shënohet 20 vjetori i kësaj dhe masakrave tjera në Mitrovicë, do të realizohet një projekt i gjithmbarshëm që në mënyrë dinjitoze të kujtohen të gjithë martirët e rënë në Mitrovicë.

Familjarët e viktimave kanë kërkuar kujdes më të madh nga institucionet lokale e qendrore.

Flora Peci, motra e njërit nga viktimat që ishte vrarë më 14 prill të vitit 1999, u shpreh krenare që pati çka të jap për Kosovën, ndërsa ka kritikuar institucionet për premtime të zbrazëta.

Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, i cili kishte ekspozuar 120 fotografi të ndryshme që flasin për masakrat në komunën e Mitrovicës, tha se kjo ditë simbolizon masakrën më të madhe, ndër gjithsej 18 masakrat që kanë ndodhur në Mitrovicë.

Ai ka kritikuar po ashtu institucionet e vendit për mos kujdesin ndaj familjarëve të martirëve./KosovaPress/


 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress