Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 13.11.2018 10:15

​Pahor bën thirrje të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të vazhdohet dialogu

Prishtinë | 13/02/2018 11:14

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, pati një mori kërkesash për institucionet e Kosovës, gjatë adresimit para ligjvënësve kosovar.

Ai kërkoi ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdimin e zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pahor duke folur para deputetëve theksoi se ai mbështet strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkesën për zgjidhjen e problemeve të kufijve me fqinjët para se këto vende të bëhen anëtare të BE-së.

Kreu i shtetit slloven foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin pati kërkesë që të vazhdohet dhe të zgjidhen problemet mes dy vendeve përmes këtij dialogu, pavarësisht kompleksitetit të saj.

Madje, Pahor e ka quajtur tejet të rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm mes vendeve të rajonit.

Krijimi i shteteve të Sllovenisë dhe Kosovës, sipas Pahor është justifikuar me zotimin se do të jenë demokratike të udhëhequra nga sundimi i ligjit dhe ofrimin e drejtësisë për gjithë njerëzit që jetojnë në to.

Ai tha se sikurse sllovenët edhe kosovarët e kanë themeluar shtetin e tyre të pavarur, duke marrë përsipër krijimin e mundësisë për ruiajtjen dhe zhvillimin e minoriteteve që jetojnë në këto shtete.

Ai e ka quajtur tejet të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, ruajtjen dhe fuqizimin e të drejtave të komuniteteve.

Prandaj, presidenti slloven ka vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë mes vete. Sipas tij, përgjegjësi e BE-së është që t’iu hap dyert këtyre shteteve, mirëpo janë ata përgjegjës për krijimin e besimit, marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimit të përbashkët. Pahor e ka quajtur detyrë të vështirë, por në fund njerëzit e këtyre vendeve shpërblehen duke e pasur një të ardhme me të mirë.


Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka vlerësuar se vizita e presidentit slloven në Kosovë, është si rezultat i partneritetit që kanë dy shtetet mes vete.

Vizita e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor u realizua për nder të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.  Pahor dje është takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress