Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 18.08.2018 05:56

​Pagat e qeveritarëve, Hamza në dilemë për ta zbatuar vendimin

Prishtinë | 13/06/2018 16:10

Pagat e kryeministrit dhe tërë kabinetit qeveritar varen nga kolegu i tyre Bedri Hamza.

Ministri i Financave dje ka abstenuar në momentin kur  kabineti qeveritar votoi që të hiqet pezullimi që Qeveria kishte vendosur për vendimin kur rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje ai në mbledhjen e Qeverisë ishte shumë i qartë në raport me rritjen e pagave për zyrtarët e lartë qeveritarë.

KosovaPress ka tentuar të mërkurën që të marr një deklaratë nga ministri i Financave Bedri Hamza. Por i njëjti nuk ka preferuar të flasë në lidhje me këtë çështje.

Hamza tha se e krejt çka ka pasur të deklarojë e ka bërë të ditur një ditë më parë.

Në mbledhjen e Qeverisë,  ministri i Financave tha se kjo çështje duhet të rregullohet me Ligjin për Pagat.


Pavarësisht kësaj shefi i tij Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Hamza që ta zbatojë këtë vendim.

Por është dikush që shpreson se Hamza nuk do ta zbatojë vendimin e kryeministrit për t’ia rritur pagat vetes dhe tërë kabinetit qeveritar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu,  shpreson që ministri Hamza do ta pengojë realizimin e një vendimi të tillë, sa më shpejt që është e  mundur.

Ai thotë se OEK është e shqetësuar me këtë që po ndodh në Kosovë dhe se vendimet e tilla, si ky i fundit për rritje të pagave të qeveritarëve për 150 për qind do të gjenerojnë efekte negative, në aspektin ekonomik dhe social dhe se do të jetë  një demotivimin për të rinjtë, për t’u ballafaquar me sfidat e sektorit privat.

Gërxhaliu thekson se me vendime të tilla, Kosova  është shndërruar në hapësirë eksperimentale,  nga e cila janë duke pësuar qytetarët e këtij vendi.

Ai thotë se në kohen kur ekziston  shkallë e ulët e  zhvillimit ekonomik, një situatë mjaft  sfiduese për sektorin privat, një shkallë të lartë të papunësisë dhe rënie të investimeve të huaja direkte,  Kosova nuk e ka luksin që të eksperimentojë,  me një rritje të tillë të pagave.


Gërxhaliu thotë se Kosova më tepër se krizë ekonomike, ka krizë juridike, e këtë e  thotë duke u bazuar në vendimin e Kushtetueses,  për pagat e qeveritarëve.

Sipas tij Kosova meriton diçka më ndryshe dhe jo një situatë të tillë, ku mos performanca  mos profesionalizimi dhe e keqja stimulohet, në vend që të jetë edukimi,  shëndetësia dhe të gjitha këto pore ku shoqëria kosovare, ka nevojë urgjente për investime.

E paradoksi më i madh për të mbetet fakti që një këshilltar,  i cili siç thotë ai  ‘ban çantat e zyrtarëve qeveritar’, të paguhet shumëfish më shumë se mjeku.

Në lidhje me  vendimin për rritje të pagave, ka reaguar dhe Lëvizja Vetëvendosje e cila edhe kishte kërkuar interpretim nga Gjykata  Kushtetuese, e cila iu refuzua të hënën.

Kjo Lëvizje ka paralajmëruar se do të ngris kallëzim penal ndaj kryeministrit Haradinaj dhe ministrave që e kanë votuar vendimin për rritje të pagave të veta.

Ndryshe edhe FMN, pati reaguar lidhur me vendimin për rritje të pagave.  Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen,  vendimin për rritjen e pagave të stafit politik nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka parë me shqetësim. 

Ai në kohën kur Haradinaj mori vendimin për rritje të pagave, pati thënë se ky vendim mund t’i nxisë apetitet e sektorëve tjerë për rritje pagash  dhe nuk është i paraparë me buxhetin e vitit 2018./KosovaPress/



 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress