Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 23.08.2019 02:11

​Organizata dhe media fiktive kanë përfituar miliona euro nga PTK-ja

Prishtinë | 15/05/2019 12:10

Komisioni parlamentar hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala sot ka miratuar listën shtesë të dëshmitarëve, të cilët do të japin dëshmi për komisionin hetimor në ditët e ardhshme.

Deputetët në këtë mbledhje ngritën si shqetësim se disa media organizata përfituan miliona euro nga PTK-ja, edhe pse ishin inekzistuese ose fiktive. 

Përveç, krerëve të shtetit, kryeministrit, Ramush Haradinaj, e presidentit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, dikur kryeministri Isa Mustafa, ministra, menaxher dhe të tjerë, kryesuesi i këtij Komisioni, Visar Ymeri ka propozuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe pronarët e kompanive që kanë lidhur kontrata me Telekomin, të cilat janë objekt i hetimit nga ana e këtij Komisioni.


Komisioni vendosi po ashtu që dëshmitar i proceseve në PTK të jetë edhe Lamih Balaj, kryetar i sindikatës në këtë kompani.

Nënkryetari i Komisionit Milaim Zeka, duke treguar se departamenti kundër mashtrimeve në PTK është mbyllur për shkak të kontratës me ‘Z-mobile’, dhe për këtë ka propozuar që për dëshmitarë të ftohen edhe Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj, të cilët kanë qenë pjesë e këtij departamenti.

Zeka, po ashtu, ka propozuar për dëshmitare edhe Shqipe Jasharin, si ish- drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në PTK.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, Armend Zemaj ngriti çështjen e kontratave për sponsorizime dhe marketing, që sipas tij, janë shifra të mjeteve marramendëse, nga të cilat kanë përfituar figura të ndryshme. 

Ai tha se nga hetimet preliminare që janë bërë, shumë portale dhe organizata të cilat kanë fituar shuma të mëdha nga kjo kompani publike, nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, andaj, ka kërkuar që edhe për këto të ketë informacione shtesë nga ARBK-ja.

Zemaj po ashtu ka propozuar tre emra për dëshmitarë, Valon Zhuniqin, ish-drejtor i Vala-s, Mehmdi Latifi si ushtrues detyre i kryeshefit dhe Besnik Jani si drejtor i Burimeve Njerëzore.

Anëtari i Komisionit Bekim Haxhiu ka kërkuar historik të regjistrimeve nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), për Dardafon LLC dhe Dardafon.net. 

Deputeti Shkumbin Demalijaj, tha se duhet kërkuar përgjegjësi edhe për antenat e PTK-së, ngase sipas tij, flitet se janë diku 60 antena të vendosura pa kurrfarë planifikimi.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka propozuar për dëshmitarë-ekspert, Naim Maloku, Ismet Hamiti dhe Agron Dida, për të cilët mori përkrahjen e Komisionit hetimor.

Ndërsa, Komisioni hetimor ka vazhduar mbledhjen pa media për diskutimin e angazhimit të ekspertëve për lëndët që janë nën hetim. /KosovaPress/ 

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress