Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 24.10.2019 12:01

​​Nisma kërkon rinumërim në të gjitha vendvotimet

Prishtinë | 09/10/2019 19:28

Nisma Socialdemokrate po kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve dhe jo vetëm i 303 vendvotimeve që sot KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se e mirëpresin vendimin e KQZ-së që të rinumërohen 303 vendvotime për shkak të gabimeve teknike në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, por që sipas tij rinumërimi duhet të bëhet për të gjitha vendvotimet në Kosovë.

Ai tha se formulari ishte i njëjtë në të gjitha kutitë e votimit në vend dhe mbi këtë fakt ai thotë se duhet të rinumërohen të gjitha kutitë e votimit.

“Nga momenti kur janë hapur kutitë janë, janë numëruar votat dhe ka filluar bartja e tyre në formularët e rezultateve preliminare, aty pastaj janë bërë gabime të mëdha që rrezikon vërtetësinë e të dhënave. Ne këtu kemi siç ju e dëgjuat z. Daka, që tha se ekziston vetëm një formular unik, duhet të jetë sipas ligjit për bartjen e të dhënave duhet të ketë vetëm një formularë, nuk mund të ketë dy formularë. Nëse i shikojmë me kujdes këto dokumentacione na del se kemi 3-4 formularë, kemi formularë që komisioneri i jep vetës të drejtë me shigjetë të tregojë se cila shifër vlen për cilën parti, kjo është e palejuar. Ligji autorizon vetëm organin kompetent KQZ të prodhojë dokumente, nuk ia jep të drejtën askujt që të prek, të shtojë rubrika apo të bartë me shigjeta shifra nga një parti tek tjetra”, tha ai.

Ai tha se ka formularë që ani pse nuk ka pasur rubrikë ajo është shtuar nga komisionerët. Po ashtu, ai tha se ka formularë ku komisionerët kanë tentuar të rregullojnë gabimet në formularë, duke shkruar emrat e partive, e me këtë veprim ai tha se kanë bërë një kaos të vërtetë.

“Duke pasur parasysh se kemi prekje të formularëve, 303 sot u verifikuan, na vjen mirë që e pranoi KQZ që 303 t’i dërgojë në rinumërim. Mirëpo, ne mendojmë dhe jemi të bindur sipas provave që kemi se jo vetëm 303 kuti, por të gjitha kutitë kanë të njëjtin formularë, pra formularin me gabim teknik. Nëse të gjitha kutitë e kanë të njëjtin formular, atëherë rrjedhimisht del që të gjitha kutitë e votimit duhet të shkojnë në rinumërim. Nëse për një arsye që u pranua nga KQZ, se formulari ka gabime teknike, kanë shkuar 303, ku është arsyeja që ato tjerat të mos shkojnë në rinumërim. Të gjitha duhet të shkojnë në rinumërim, sepse mbi bazë të këtyre të dhënave nuk kuptojmë se ku është e vërteta e votës së qytetarëve”, u shpreh Sherifi.

Sherifi është shprehur i bindur se koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun, por sipas tij rinumërimi ka të bëjë me integritetin e procesit.

“Nisma e ka kaluar pragun pa rinumërim, të jeni të bindur. Nuk është çështja e pragut të Nismës rinumërimi, rinumërimi ka të bëjë me integritetin e procesit, me besueshmërinë e procesit, me dhënien e shembullit se nuk lejojmë, institucionet, shteti, që për gabime të tilla siç janë formularët të kontestohet në përgjithësi procesi”, tha ai.

Sa i përket asaj se a do të jenë të hapur për bashkëpunim me partitë që do të formojnë qeverinë, ai tha se për këtë çështje vendos kryesia e partisë.

Tashmë kur KQZ ka publikuar të gjitha rezultatet nga vendvotimet, koalicioni Nisma-AKR-PD ka mbetur nën pragun prej 5 përqind, ajo ka 39 mijë e 495 vota, apo 4.96 përqind, raporton KosovaPress.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress