Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 25.03.2019 07:43

​Ndarja e parave nga Qeveria, përplasë në Kuvend pozitën dhe opozitën

Prishtinë | 12/03/2019 13:30

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zhvilluar debat parlamentar në seancën e jashtëzakonshme për të iniciuar nga GP i LDK-së lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, apo rezervave shtetërore.

Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Financave  Bedri Hamza. Të dy këta të fundit kanë mbrojtur vendimet e qeverisë për ndarjen e mjeteve të paparashikuara financiare nga qeveria aktuale.

Të zëshëm dhe me akuza për keqpërdorim të taksave te qytetarëve të vendit, ishin deputetët e LDK-së. Ndërsa deputetë të pozitës, e kanë quajtur të panevojshme dhe të kotë thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se ndarja e mjeteve financiare për shpenzime të paparashikuara është bërë pa asnjë kriter vlerësues.

Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës që nga marrja e mandatit ka filluar zbatimin e praktikës së keqe për ndarje buxhetore përmes vendimeve të Qeverisë me theks të veçantë, ndarjen e mjeteve financiare për shpenzime të paparashikuara. Ndarja dhe destinimi i këtyre mjeteve po bëhet pa një planifikim të qartë, pa kritere vlerësuese, pa analiza financiare buxhetore, pa analiza të nevojave, thënë më shkurt këto vendime kanë vetëm një qëllim, të plotësojnë apetitet elektorale të kryeministrit dhe koalicionit PAN”, tha Selmanaj.

Sipas tij, vetëm për periudhën e fundit të vitit 2018, 8 milionë euro janë dedikuar për shpenzime të paparashikuara.

“Vetëm për pjesën e vitit 2017 dhe 2018 Qeveria e Kosovës ka nxjerrë mbi 60 vendime të veçanta kapin shumën prej 8 milionë e 337.282 euro nga linja buxhetore, shpenzimet e parashikuara. E njëjta praktikë po ndodhë edhe gjatë këtij viti ku vetëm për dy muaj janar-shkurt 2019 me vendimin e qeverisë janë ndarë 1 milion e 700 mijë euro”, ka thënë Selmanaj.

Në emër të GP të PDK-së Safete Hadërgjonaj, tha se me shpenzimin e rezervës së Qeverisë nuk rrezikohet shteti, ndërsa thirrjen e kësaj seance e ka quajtur të kotë. Ajo thotë se opozita ka për qëllim të ngjallë panik tek qytetarët.

“Partitë opozitare shpeshherë kanë mbledhur nënshkrime për të bërë seanca koti. Kanë thirrë seanca duke përhapur dezinformata se po shkatërrohet shteti, kanë fut frikë e panik tek qytetarët në vend qe tregohen unik në interesa të shtetit, të marrin pjesë në ekipin negociator, këta kanë thirrë seanca që kanë filluar edhe më tutje ndarjen e faktorit shqiptar që askujt nuk i shkojnë për shtati një gjë e tillë...me shpenzimin e rezervës së Qeverisë nuk rrezikohet stabiliteti makrofiskal, nuk rrezikohet shteti, nuk bie vendi në krizë financiare, por është shumë e rëndësishme që për shpenzimin e këtij kodi buxhetor të respektohet ligji te ketë transparencë dhe llogaridhënie”, tha Hadërgjonaj.

E shefi i GP të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, e konsideron të gërditshme se si Qeveria manipulon me tenderë edhe në festa, siç është ajo e kremtimit të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Kjo Qeveri nuk e din kur është Pavarësia e Kosovës, apo qysh është puna? A e din që data e pavarësisë së Kosovës nuk lun, çdo vit është më 17 shkurt qysh më kujtohet. Si është e mundur qe shpenzimet për Pavarësi gjithmonë të shpenzohen prej këtij fondi dhe gjithmonë me lëkundje shumë të mëdha financiare. Ni vit i harxhojmë 200 mijë euro, ni vit 500 mijë euro dhe askush nuk jep llogari. Një emblemë e thjeshtë është paguar gati 5 euro. Ajo kushton në  mes 50 cent ose 1 euro. Tenderi për pavarësi jepet që të kënaqet ndonjë militant. E Për çfarë ngjarje, për pavarësinë e Kosovës, kjo është e gërditshme”, tha Konjufca.

Konjufca ka theksuar se është pikëlluese se si taksapaguesit e Kosovës janë ngarkuar për të paguar 1.2 milionë euro për Presidentin e vendit.

“Keni dhënë shpenzime të paparashikuara për Presidentin.  Si është e mundur shteti i Kosovës të japë qindra mijëra euro për lobimin personal të Presidentit. A ja u ka qit kusht Presidenti për koalicion? Sa herë të lyp ai pare me i dhënë prej buxhetit të Kosovës. Për librat e tij personal edhe për lobimin e tij personal. çka na intereson neve lobimi për figurën personale të Hashim Thaçit pse me pagu taksapaguesit e Kosovës, E prej kujt prej rezervës shtetërore e cila është e dedikuar vetëm për katastrofa humanitare.. 1.2 milionë euro i keni paguar ju qytetarë të Kosovës për presidentin me u end poshtë e naltë”, tha Konjufca.

Blerim Kuçi ka pasur vërejtje për thirrjen e kësaj seance. Sipas Kuçit vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare të paparashikuara nuk janë në ndesh me Ligjin për Buxhet dhe as me atë Menaxhimit të Financave Publike.

“Ka të bëjë për një vendim të Qeverisë i cili shumë mirë u referohet ligjeve dhe neneve të caktuara. Nuk është shkelur as ligji për buxhet as ligji për menaxhimin e financave publike. Vendimi i Qeverisë i referohet neneve të caktuar. Për deputetët të cilët nuk e kanë kohën e duhur ose njohuritë e duhura vetëm duhet ti referohen nenit të caktuar nëse është shkelur ligji  po jo. Nëse flasim për moral dhe politikë ajo është diçka tjetër”, tha Kuçi. 

Ai ka propozuar që të krijohet një rezolutë me të cilën përcaktohet se kur lejohet që Kuvendi të thërrasë seanca të jashtëzakonshme, meqë sipas tij, seancat e jashtëzakonshme nuk mund të thirren për çfarëdo lloj arsye.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj,  ka mirëpritur debatin për llogaridhënie të Qeverisë rreth parave të shpenzuara, ndërsa ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve financiare është praktikë e qeverive paraprake.

Diskutimet që kanë ndodhë në publik për festimet e 11 vjetorit të Pavarësisë. Paret janë ndarë se është propozuar në Qeveri nga Ministria e Jashtme, paret e ndamë janë bart ose janë dedikuar MKRS-së, aktivitetet e parapara i ka bërë mekanizmi i paraparë i protokollit të shtetit për ngjarjet që pasojnë. Më sa e di kostoja e shpenzimeve për 11 vjetorin e Pavarësisë është rreth 175 mijë euro, paret janë nda më shumë, të gjitha të tjerat kthehen në buxhet, Unë kam kërkuar një auditim të brendshëm dhe auditorin e përgjithshëm për të parë të vërtetën. Për shkak ju siguroj se shumica e personelit që punojnë në zyrën e kryeministrit nuk janë të Aleancës, besa nuk janë edhe të PDK-së, ka edhe LDK-së, ka edhe pa parti. Sa i përket çështjes së shpenzimeve të paparapara në Kosovë ekziston një praktikë  në vitin 2016 kanë qenë të ndame shpenzimet e paparapara 8 milionë e 178 mijë e 741 euro janë shpenzuar 8 milionë e 124 mijë e 976 euro. Më herët u tha që ka qenë vit zgjedhor, por nuk ka pasë zgjidhje.. Vitin 2017,  7 milionë e 40 mijë,  janë shpenzuar 6 milionë 965 mijë. Është një praktikë e vazhdueshme e qeverive paraprake PDK, LDK tani edhe qeveria Haradinaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Financave Bedri Hamza, theksoi se kur flitet për shpenzimet e rezervave ndër vite, del se ato janë të ngjashme, por ka një rënie e shpenzimeve në vitin 2017 dhe 2018 në krahasim me vitin 2016. Ai madje tha se ka përmirësim të bilancit bankar.

Ndërsa ka theksuar se për festimin e 11-vejtorit të pavarësisë së Kosovës, qeveria ka ndarë 500 mijë euro.

“Nuk ka përkeqësim në asnjë segment, në asnjë indikator makroekonomik gjatë kësaj qeverisje. Përkundrazi, kemi përmirësim. Unë nuk jam për të minimizuar çdo lëshim, çdo gabim, çdo defekt. Jam për me i thënë ato dhe jam për t’i luftuar ato dhe me i pengu... Kosova është i vetmi vend në rajon që ka lansuar portalin e transparencës  dhe ku çdo para e shpenzuar nga çdo organizatë buxhetore bëhet publike.  Sa i përket ligjshmërisë së shpenzimit të parave publike, është obligim edhe i zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe ata kanë obligim më e bë auditmin edhe mënyrën e shpenzimit të parasë publike a është në përputhje me ligjin, rregulloren dhe transparencën. Sa i përket fondeve të fundit, që është festimi i Pavarësisë janë ndarë me vendim të Qeverisë 500 mijë euro,  presim që të kemi raport zyrtar prej organizatës buxhetore që është e obliguar për ta kryer këtë dhe do ti bëjmë transparent”, tha Hamza.

Deputeti nga LDK Lumir Abdixhiku, tha se pse duhet të ketë kaq shumë shqetësim kur kërkohet llogari për shpenzimet e festës së Pavarësisë.  Ai pyeti se çfarë mund të pritet nga kjo qeveri e cila vjedh lapsa për Pavarësi.

“Kur themi ne që janë paguar 20 fish më tepër në parashuta se që janë faturu, neve po na thuhet se po ndahet faktori shqiptar. Pra ne themi si është e mundur qe kemi faturu një parashutë 12 mijë euro, 6 mijë euro për dizajnim, e parashutat kanë qenë të dizajnuara.  Kur themi në që është vjedh në lapsa se çmimi i lapsit që prezantohet është 30 centë e jo 3 euro, neve po na thuhet pse po merreni me këtë temë se kjo nuk shkakton krizë financiare. Nuk shkakton krizë financiare vjedhja në lapsa, as shpenzimi 500 mijë eurove nuk shkakton krizë financiare. Por për atë punë as shpenzimi i 53 milionë eurove për Bechtelin  s’shkakton krizë financiare, por shkakton  një krizë tjetër, një krize morale e shoqërisë, e që kësaj krize i thonë korrupsion. E kur Qeveria vjedh lapsa në pavarësi, atëherë çka pret prej një kryesuesi të një bordi që punëson 4 fëmijë të vet”, tha Abdixhiku.

Deputeti Milaim Zeka tha se kryeministri Haradinaj është rrethuar nga disa hajdutë të vegjël.

“Kryeministrit po i sillen do hajna të vegjël, që po e vjedhin me lapsa, qe po e vjedhin me flamuj të pavarësisë, po e vjedhin me dekorimin e katër shtyllave që është bërë në qendër e që kanë kushtu nga 12 mijë euro, paramendo çfarë bëjnë hajnat e mëdhenj”,  tha Zeka.

Ai e ka quajtur të panevojshme thirrjen e kësaj seance, pasiqë  sipas tij, alokimi i mjeteve financiare është bërë në mënyrë ligjore, por se duhet hetuar nëse ka pasur keqpërdorime. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress