Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Martë, 21.01.2020 05:04

​Nagavci: LDK duhet të tregojë se çfarë po dëshiron

Prishtinë | 14/01/2020 18:06

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në një intervistë për KosovaPress thotë se pas ofertës së fundit të bërë, LDK duhet të vendosë nëse dëshiron marrëveshje për koalicionin bashkëqeverisës apo kërkon të mos shkëputet nga e kaluara.

Edhe pse Nagavci nuk dha detaje për ofertën e re karshi LDK-së, KosovaPress merr vesh se në të përfshihet rritja e ministrive nga 12 në 14. Por kjo për anëtaren e kryesisë së VV-së nuk e bën që të ngjasojë me qeveritë e kaluara.

“Për të finalizuar arritjen e marrëveshjes Lëvizja sot ka bërë edhe një propozim të ri për LDK-në. Po besoj që ata do të shqyrtojnë në organet e tyre dhe do të na njoftojnë për veprimet e tyre...Nuk mund të konfirmoj cili është propozimi i fundit që ka bërë LVV-ja. Por mund të them me bindje që do të kujdeset që të respektojë të gjitha çështjet që janë në interes të vendit. Në këtë moment është e rëndësishme që të bëhet funksionalizimi i marrëveshjes dhe institucioneve. Një gjë është e sigurt se Qeveria Kurti nuk do të ngjasojë as në numër e as në masivitet të stafit, por as në mënyrën e qeverisës nga qeveritë e kaluara”, tha Nagavci.

Ajo thotë se oferta e fundit e ka vënë LDK-në në një pozicion kur duhet të vendosë nëse dëshiron të jetësohet vullneti i qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Pres që LDK duhet të tregojë çfarë vërtet po dëshiron. Të shkëputet përfundimisht nga e kaluara edhe të tregojë si e sheh vazhdimin tutje. Lëvizja ka bërë shumë propozime  të njëpasnjëshme, jemi munduar që të gjejmë mënyrën që të jetësojmë vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor. Tani është momenti të kuptojmë qartë çfarë kërkon LDK-ja. A janë edhe ata të interesuar që vullneti i qytetarëve të jetësohet duke arritur marrëveshjen”, tha ajo.

Krahas kësaj, nënkryetarja e Kuvendit i hedh poshtë të gjitha mundësitë që kryetari aktual i Parlamentit, Glauk Konjufca të tërhiqet nga posti, pasi që nuk ka arsye dhe argumente.

“Glauk Konjufca mendoj që është personi i duhur në vendin e duhur. Nuk ka asnjë arsye edhe asnjë argument që do të na shtynte të mendojmë për këtë çështje”, u shpreh Nagavci.

Edhe pse shprehet optimiste për marrëveshje, Nagavci thotë se nëse nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë do të detyrohen të shkojnë në zgjedhje tjera.

“Nëse nuk arrihet të jetësohet ky vullnet i shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, ndoshta është më mirë që të kthehemi edhe një herë te qytetarët. Kjo gjë nuk mund të zgjasë në pafundësi”, tha ajo.

Edhe pse kanë kaluar mbi 100 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur të formojë koalicionin qeverisës.

Pas shumë negociatave dhe disa takimeve të njëpasnjëshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk janë tejkaluar dallimet që kryesisht janë për poste institucionale./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress