Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 21.10.2019 06:14

​Mitrovicë, mbahet konferenca ndërkombëtare për gjeoshkencë

Prishtinë | 10/10/2019 15:35

Kosova dhe në veçanti qyteti i Mitrovicës, për shkak të specifikave të saj, ka tepër nevojë për ngjarjet me karakter shkencor, të cilat kanë qenë të pakta dhe kanë mbetur nën hije të rrethanave politike prej pasluftës e këndej.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë konferencës ndërkombëtare për gjeoshkencë, ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, studiues dhe shkencëtarë nga shumë vende të rajonit e Evropës, profesorë, studentë etj.

Nikoqiri i kësaj konference, njëherësh rektor i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, tha se prania e shkencëtarëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme evropiane, krahas atyre nga rajoni dhe vendi, i japin kuptim të mirëfilltë kësaj konference për gjeoshkencë.

Marjan Dema, rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, duke përshëndetur të pranishmit në këtë konferencë, tha se rastet e tilla të konferencave duhet shfrytëzuar jo vetëm për hulumtime shkencore,  por njëkohësisht edhe për ndërtimin e urave të miqësisë.

Ai potencoi interesimin e madh për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, hulumtimeve, bashkëpunimit me ekonominë dhe të ngjashme, në universitetin e Prishtinës dhe universiteteve tjera në Kosovë.

Skender Sallahu, drejtor i Departamentit të minierave të Kosovës, bëri të ditur se konferencat e tilla kontribuojnë së paku në promovimin e sektorit minerar, i cili siç tha ai, po ballafaqohet me sfida të ndryshme.

Musa Shabani, kryesues i bordit të komisionit të pavarur për miniera dhe minerale, tha se zhvillimi I gjeoshkencave ka rëndësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, ideve shkencore, por edhe projekteve profesionale.

Sipas tij, pa përpunimin e mineraleve që ka planeti, nuk do të mund të mendohej zhvillimi teknologjik dhe industrial.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Kosovë, Dillon Green, tha se sektori i minierave është bërthama për interesin ekonomik të të gjithëve.

Ndryshe, kjo konferencë e gjeoshkencës, që do të zgjasë dy ditë, është e para e karakterit  ndërkombëtar, ndërsa u organizua nga Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’,  në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimin Gjeologjik i Kosovës. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress