Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 06.12.2019 12:22

​​Më 30 prill miratohet MSA për Kosovën

Prishtinë | 23/04/2015 15:20

Javën e ardhshme pritet të miratohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe pastaj t’u dërgohet shteteve anëtare të BE-së për diskutim

Në këtë mënyrë, mundësohet që MSA-ja të nënshkruhet para verës së këtij viti. Kështu tha përfaqësuesi i Bashkimi Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të cilin, një marrëveshje e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për sigurimin e mardhënieve mes Kosovës dhe BE-së. E për eurodeputeten Ulrike Lunachek, pas nënshkrimit të MSA-së, Kosovën nuk e ndalon asgjë që të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.

“Perspektiva Europiane, Ecje nëpër mjegull”, ishte paneli i radhës i Forumit 2015, projekt avokues i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, që u mbajt sot, në të cilin u diskutua për aspektet e kësaj perspektive. E në këtë diskutim, u shtrua pyetja se çfarë do të ndodhë pas nënshkrimit të MSA-së, nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e shtetit anëtar të BE-së, ani pse ajo ende nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të familjes evropiane.

Samuel Zhbogar tha se janë të përkushtuar për integrimin e Ballkanit në BE. Përfshirë këtu Kosovën, që sipas tij, është në interesin e brendshëm të Bashkimit Europian, që Kosova të vazhdojë të ecë drejt BE-së.

Miratimin, e pastaj nënshkrimin e MSA-së, ministri i integrimeve, Bekim Çollaku e cilëson si zhvillim të jashtëzakonshëm pozitiv.

Fakti se një marrëveshje e tillë nuk do të ratifikohet nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas Çollakut nuk e zbehë këtë marrëveshje.

Madje, Çollaku tha se nëse Kosova do të kishte marrëveshje të njëjta me procedura të njëjta, kjo veç do t’ia vështirësonte zhvillimin. Sipas tij, në rrethana të tilla, pesë vendet në fjalë, do t’i thonin Jo këtij zhvillimi të Kosovës.

Ai tha se, Kosova po e kapërcen këtë sfidë dhe po futet në një fazë tjerët, e që është rrugëtimi i pa kthyeshëm për në BE.

Ministri Çollaku tha se plani për zbatimin në MSA-së, do të jetë gati deri në fund të vitit, kur edhe pritet që BE të ratifikojë MSA-në. Ai tha se përkushtimi i Kosovës është që t’i bindin këto pesë vende për ta njohur shtetin e Kosovë,s sepse siç tha ai, është në interes të stabilitetit në rajon por edhe në interes të Be-së.

E Gerald Knaus, themelues dhe udhëheqës i European Stability Iniciative, që ishte njëri nga panelistët e ftuar, shtroi disa propozime për Bashkimin Europian, ndër të tjera duke kërkuar që Kosova të vlerësohet si të gjitha vendet e tjera fqinje.

Kanus tha se BE ka metodë të shkëlqyeshme për ta matur korrupsionin. Andaj, sipas tij, duhet të futet metodologjia e raportit të BE-së për korrupsion edhe në Kosovë.

Sipas tij, Kosova duhet të aplikojë në Këshill të Europës këtë vit. Siç tha ai, këtë Kosova e bënë për t’u lidhur me mekanizmat europiane, dhe kështu sipas tij, mund të garohet me të drejtë.

Për këtë, eurodeputetja Ulerike Lunachek, e cila është lidhur në këtë diskutim nga Vjena me anë të internetit ka thënë se për këtë nuk sheh ndonjë pengesë.

Ajo tha se kjo nuk është diçka që ka diskutuar më gjerësisht me shumë njerëz, por duke shikuar nga e kaluara, tha se çështjet formale nuk beson se do të jenë problem.

Ndryshe në studimin e KFOS-it, me autorë Gjeraqina Tuhina e Augustin Palokaj, i cili flet për sfidat e Kosovës drejtë zgjerimit, thuhet se Bashkimi Europian duhet të merret më seriozisht me adresimin e problemeve në rajon dhe t’i bindë ato se perspektiva e anëtarësimit të tyre në BE është reale, por kjo nuk mund të bëhet duhet reduktuar kriteret. E në anën tjetër, sipas këtij studimi, elitat politike në vendet e rajonit, porosinë se nuk mund të hyjnë në BE në 5 vitet e ardhshme, nuk duhet ta kuptojnë si një sinjal se mund të ngadalësojnë procesin e reformave për përmbushjen e kritereve. Ato duhet të sigurojnë që këto 5 vjet, deri në vitin 2020, t’i përgatisin vendet e tyre për anëtarësim në BE, në mandatin e komisionit të ardhshëm i cili do të fillojë në fund të vitit 2019./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress