Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 21.06.2019 02:16

​​Limaj porositë të rinjtë: Kosova ka potenciale për punë

Prishtinë | 07/12/2018 18:40

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mbajtur takimin e radhës me të rinjtë në komunën e Therandës, me ç’rast kritikoi të rinjtë që sapo arrijnë moshën madhore, kërkojnë të largohen nga Kosova.

Limaj, ndër të tjerash, tha se këto takime me të rinjtë anembanë Kosovës, kanë për qëllim të shpalosin planin e Nismës për rininë, ku ndër to potencoi aktivizimin e rinisë në jetën publike, aftësimin profesional dhe vetëpunësimin.

Limaj dhe këtë herë kritikoi të rinjtë, ata të cilët sapo mbushin 18 vjet, kërkojnë të largohen nga Kosova.

“Një 18 vjeçar thotë ta marr pasaportën e të iki, se nuk jetohet në këtë vend. Po a e ke provuar ti këtë vend? Çka ke bërë ti për këtë vend për ta ditur a bëhet a s’bëhet. Të kanë mbajtur nëna e babai deri sot. Provoje, një herë, dy a dhjetë herë, provo të jetosh në vendin tënd. Kosova ka mundësi dhe potencial t’i mbajë, jo vetëm këta që jemi dy milionë, po edhe kaq tjerë. Po si i mban? Nëse punojmë, jo të rrimë”, iu është drejtuar të rinjve Limaj.

Edhe para të rinjve të Therandës, Limaj përsëriti qëndrimin  e tij që të rinjtë duhet të kenë ëndërr ndërtimin e Kosovës, e njëherësh t’i kthehen punës.

Ai u tha të rinjve se jo domosdoshmërish duhet të kenë një diplomë për të marrë një punë, e njëherësh iu bëri thirrje që të orientohen edhe kah shkollat profesionale, sepse, sipas tij, plot kompani po kërkojnë punëtorë të profilizuar.

“Sa rrini kot, e çon një kohë kot e të panevojshme, pse mos të shkoni e ta merrni një zanat. Sot kemi ardhur me kolegët dhe strukturat që të fillojmë t’i ftojmë të rinjtë, që kushdo prej jush që është i interesuar të regjistrohet në shkollat e arsimit profesional në Prizren, Ferizaj apo Prishtinë, ne jemi të gatshëm me i përcjellë regjistrat, me drejtimet që juve iu interesojnë dhe ta marrim përsipër punësimin. Ne si shtet e marrim përsipër punësimin”, ka premtuar Limaj.

Pos premtimit për punësim, Limaj po ashtu përsëriti premtimin për të përkrahur iniciativat e të rinjve për krijimin e bizneseve të reja.

“Ftesa jonë është gjithashtu për vetëpunësim. Sillni ide, biznes-plane të vogla, dy-tre vetë, një djalë, dy djem, një vajzë, dy vajza, sa e çoni kohën kot, provokojeni trurin, keni plot ide kreative, bëjeni ndonjë biznes plan se si e shohim, hajdeni me një iniciativë private. Shteti ka aso projekte që mbështetë, ka programe të tilla shteti që ju mbështetë. Ju duhet një makinë e vogël, ju duhet kompjuter, apo ku ta di. Shteti është aty për t’ju mbështetur. Por duhet ta keni një ide të qartë, se çka po doni”, ka deklaruar Limaj.

Ndërsa kryetari i rinisë së Nismës për nivelin qendror, Albert Maxhuni tha se rinia është përdorur vetëm për vota, e nuk iu është dhënë hapësirë. Njëherësh, ai tha se ky subjekt politik do ta përkrahë  rininë pamarrë parasysh orientimin politik.

Kurse kryetari i degës së NISMA-S në Therandë, Edon Halitjaha ndër të tjerash, Fatmir Limajn e quajti si kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Përndryshe, së fundmi Limaj ka mbajtur takime me të rinjtë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, të cilëve u ka bërë thirrje që ta kenë ëndërr të përbashkët ndërtimin e Kosovës, e po ashtu iu ka ofruar mbështetje në aspektin e punësimit, raporton KosovaPress.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress