Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 20.05.2019 12:01

​Kthimi i kosovarëve nga Siria, PDK përgëzon institucionet

Prishtinë | 20/04/2019 12:49

​Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur operacionin e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë si dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë qenë në zonat e luftës në Siri.

“Sot, Republika e Kosovës ka dëshmuar maturinë e vet për t’i dalë në ndihmë secilit qytetar, duke mos i braktisur ata. Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se shoqëria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj kanë qenë jashtëzakonisht të vendosura në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si dhe duhet të vazhdojnë edhe më tej me vendosmëri që të zbatojnë parimet e rendit tonë kushtetues dhe ligjor kundër çdo aktiviteti dhe personi që tenton, merr pjesë apo kryen vepra penale të kësaj natyre”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas PDK-së, kthimi i qytetarëve tanë nga zonat e luftës, veçanërisht i grave dhe fëmijëve është një hap që duhet të na inkurajojë për të punuar edhe më shumë që asnjëherë më qytetarët tanë të mos jenë viktimë e personave të papërgjegjshëm dhe të përfundojnë në vatrat e luftërave të huaja mbi çfarëdo lloj pretendimesh.

Partia Demokratike e Kosovës ka përgëzuar edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, për sipas tyre, lidershipin e treguar në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm dhe human për shtetin dhe shoqërinë tonë.

“Qytetarët e kthyer nga zonat e luftës, kanë kaluar periudha traumatike dhe ne si shoqëri duhet të kemi mirëkuptim, të kontribuojmë në rehabilitimin e tyre si dhe integrimin e tyre në jetën tonë shoqërore. Fëmijët e Republikës së Kosovës e kanë vendin në shkolla dhe e ardhmja e tyre nuk mund të manipulohet nga askush. Ky parim sot është bërë realitet dhe është kursi i duhur që duhet të ndjekim si shoqëri e përkushtuar për një rend liberal, e bazuar mbi vlerat më të larta të mirëkuptimit, tolerancës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, përfundon deklarata e PDK-së./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress