Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 20.09.2019 02:03

​Kthehen në vendlindje eshtrat e Rifat Berishës, i zhdukur para 27 vjetëve

Malishevë | 11/09/2019 15:36

Rifat Berisha (1945) nga Gurbardhi i Malishevës, 27 vjet më parë ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni. Pas 27 vite të zhdukjes, janë gjetur eshtrat e tij, dhe sot janë kthyer në vendlindje, pranë familjes dhe fisit të tij, në Gurbardh.

Eshtrat e të ndjerit janë pranuar nga familja në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ndërsa në pranimin e arkivolit, krahas familjarëve, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj.

Nënkryetari Berisha e ka përshkruar si një moment emocionues, gjetjen pas 27 viteve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje, por edhe moment i dhimbjes për familjarët, të cilët për 27 vite jetuan në ankth dhe vuajtje në kërkim të familjarit.

Ai ka bërë të ditur se në Komunën e Malishevës vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.

Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit kur e ka parë prindin, kur ishte vetëm 7-vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij, ishte nisur për të shkuar në Slloveni, në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur.

“Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari për 27 vjet, derisa e kemi gjetur, andaj iu bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”, tha Berisha.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress