Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 16.07.2019 07:20

​Kosova i kthen 110 qytetarë nga Siria me ndihmën e ShBA-ve

Prishtinë | 20/04/2019 11:19

Shteti i Kosovës ka arritur të kthejë të shtunën në mëngjes 110 qytetarë që ishin duke qëndruar në zonat e konfliktit në Siri. Në mesi ne tyre, katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Policia e Kosovës ka ndaluar katër luftëtarët, ndërkohë që gratë dhe fëmijët po u nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe pritet të rehabilitohen. Operacioni i institucioneve të Kosovës ishte i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë përmes një konference për media, kanë bërë të ditur se operacioni i nisur në tetor të vitit 2018, ka përfunduar me sukses sot ku kanë arritur që të kthejnë 110 qytetarë që po qëndronin në Siri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë që kanë marrë masa për të zbatuar parimet mbi të cilat funksionon rendi kushtetues.

Ai tha që secilin pretendim për kryerjen e veprave penale dhe krimeve, me të cilat mund të ngarkohen personat që kanë qenë pjesëmarrës në vatrat e luftës, do ta adresojnë konform ligjeve në fuqi.

Tahiri shtoi se mesazhi ynë është i qartë, qeveria do të vazhdojë më fuqishëm në parandalimin e terrorizmit.

Ai gjithashtu bëri të ditur që gratë dhe fëmijët e kthyer do të marrin trajtimin e duhur, meqë sipas tij, ato meritojnë rehabilitim.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj bëri të ditur që katër luftëtarët janë ndaluar nga Policia e Kosovës, dhe veprimet e mëtejmë do të jenë në harmoni me dispozitat ligjore.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se ekipi mjekësor do të bëjë kontrollin shëndetësor të gjithë të kthyerve.

Ekipi i mjekëve do u bëjë kontrollin shëndetësor të gjithë të kthyerve.

Në konferencën e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, u tha se personat që janë kthyer kanë qenë viktima të papërgjegjshme të personave që i kanë shfrytëzuar për interesa të ndryshme.

Aty u tha se do të marrin përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të mund të tejkalohet.

Ndërkohë, sipas informatave që i ka Policia e Kosovës, në zonat e konfliktit në Siri vazhdojnë të qëndrojnë edhe rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress