Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 19.11.2017 06:54

​​Kështu blihen votat në Shqipëri, 230 raste të denoncuara

Tiranë | 16/06/2015 16:44

Java e fundit e fushatës elektorale në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, po karakterizohet nga tensione dhe incidente të shumta sidomos nëpër rrethe. Mbi 200 raste janë denoncuar deri më tani nga vetë qytetarët, që flasin me fakte dhe dokumentime se si nga subjekte të ndryshme politike po tentohet të blihen vota, sidomos tek votuesit e herës së parë, që janë 150 mijë 18-vjeçarë.

Edhe pse e jashtëligjshme, fushata ka mbërritur deri në dyert e shkollave, spitaleve dhe administratës publike ku punonjësit dhe nxënësit po nxirren nëpër mitingje dhe po u kërkohet vota në këmbim të parave apo të favoreve të tjera siç mund të jetë premtimi për një vend pune, e drejta për një bursë shkolle, për të kaluar provimet e maturës me nota të mira e të tjera raste nga më të ndryshmet.

Aranita Brahaj, anëtare e Dhomës Zgjedhore të Za'Lart, flet për këto fenomene abuzive të konstatuara gjatë fushatës. Në një intervistë për KosovaPress ajo thotë se qytetarët janë ata që kanë denoncuar shkelje të tilla përmes fotove dhe videove në platformën online Za'Lart, dhe se “harta e tensioneve” është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Por, krahas përdorimit të administratës në fushatë, kemi edhe raste të rënda të incidenteve dhe përdorimit të dhunës si pasojë e përplasjeve mes militantëve të forcave kryesore politike. Raste të tilla janë konstatuar në disa qytete, si në Peqin, Kukës, Pukë, apo në bashkitë Kamzë dhe Vorë.

Edhe pse ligji e ndalon kategorikisht përfshirjen e nxënësve në fushata, kjo gjë ka ndodhur masivisht këtë herë, sidomos me maturantët. Po ashtu edhe mësuesit, edhe mjekët, apo punonjës të tjerë të administratës, janë detyruar të lënë punën për të dalë në miting.

"Një element tjetër që vihet re është që aty ku rikandidojnë kryetarë aktualë të bashkive ka më shumë tension, më shumë presion dhe më shumë abuzim me asetin publik, me sektorin publik. Kështu mund të karakterizojmë zona si Kukësi, Vora, Kamza apo zona të tjera të cilat e kanë këtë karakteristikë," thotë Aranita Brahaj.

Po ashtu, probleme janë vënë re edhe me objektet që do të përdoren si qendra për KZAZ ku raportohen se shumë prej tyre janë në godina publike të papërshtatshme, si godina të bashkive, objekte të institucioneve që refuzojnë të vënë sallat në dispozicion të KZAZ-ve, apo raste të godinave të shkollave të mesme të cilat në datën 19 qershor do të zhvillojnë provimet e maturës, vetëm 48 orë para votimeve.

Dhoma Zgjedhore është një iniciativë e shoqërisë civile shqiptare, e projektuar si një platformë për shkëmbimin e informacionit ndërmjet të gjithë aktorëve që punojnë për zgjedhjet, për të zhvilluar bashkëpunimin dhe reagimin e shpejtë ndaj krizave të lidhura me procesin zgjedhor. Përmes krijimit të dhomës së situatës zgjedhore dhe të portalit online, shoqëria civile u bën thirrje qytetarëve t’i bashkohen kësaj nisme, për të denoncuar çdo problem të hasur gjatë procesit të votimit, për ta bërë atë sa më demokratik dhe transparent./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress