Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 19.06.2019 01:59

​Kërkohet shtim i inspektorëve dhe këshilluesve bujqësor për siguri më të lartë ushqimore

Kamenicë | 21/05/2019 15:40

Shtimi i numrit të inspektorëve dhe këshilluesve bujqësor po shihet të jetë nevojë e domosdoshme me qëllim që në Kosovë të ketë siguri më të madhe ushqimore. Si hap i rëndësishëm që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian po konsiderohet rritja e cilësisë së produkteve dhe prodhimeve BIO.

Kështu u tha në debatin me temë “Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së", i cili u mbajt në komunë e Kamenicës dhe të pranishëm ishin shumë prodhues të kësaj ane e përfaqësues të rëndësishëm të kësaj fushe.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se kjo komunë ka përparësi shumë të madhe për zhvillim të bujqësisë pasi që 70 për qind e territorit të saj janë hapësira kodrinore-malore.

Kastrati tha se është ngritur vetëdija e qytetarëve që të investojnë në këtë fushëveprimtari, pasi që, këtë vit përfitues të granteve të ministrisë së Bujqësisë janë rreth 40, kurse viteve të mëparshme kanë qenë jo më shumë se tetë.

I pari i Kamenicës tha se edhe aspekti buxhetor po ua pamundëson atyre si komunë që të subvencionojnë prodhuesit e kësaj ane.


Sipas tij, kjo komunë ka përparësi të mëdha që prodhimet e saj t'i plasojë në tregun evropian pasi ndodhet më afër korridorit me Greqinë si dhe autostrada që po ndërtohet do krijojë lidhje më të shpejta dhe fuqi të re dhe e lirë punëtore.

Nga departamenti për Këshilla bujqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Tahir Halitaj tha se për të zbatuar në tërësi standardet e Bashkimit Evropian kanë hartuar edhe mekanizma shtesë, por, që sipas tij, politikat për përfitues të granteve duhet tu përshtaten edhe prodhuesve të vegjël.

Halitaj tha se me qëllim të dhënies së këshillave ata kanë edhe qendra informative  nëpër komunat e Kosovës dhe se aktualisht kanë gjithsej 300 këshilltarë publik dhe privat.

Sipas tij, së shpejti ministria e Bujqësisë do shpallë thirrjet për aplikim për grante dhe subvencione ku fermerët duhet t'i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë përfitues.

Sabedin Kadriu koordinator rajonal për Gjilan në AUVK, tha se me kapacitetet e vogla të inspektorëve që kanë në dispozicion po mundohen që të ofrojnë siguri ushqimore për qytetarët e këtij regjioni.

Kadriu tha se komunat nuk kanë inspektorë sanitar, përveç Kamenicës, e cila tashmë e ka një të tillë.

Në emër të qumështores "KABI", Mitat Bixhaku tha se si prodhues të produkteve të qumështit fal përkrahjes së Këshillit të Evropës kanë teknologjinë më moderne.

Ai tha se prodhimet e tyre i plotësojnë të gjitha standardet evropiane, por që për shkak të kapaciteteve të vogla prodhuese gjatë dimrit kryesisht ata nuk po guxojnë të rrezikojnë tregun e BE-së.

Kjo kompani e prodhimeve qumështore ka fuqi prodhimi nga  300 deri 350 litra qumësht  dhe ka të punësuar 38 punëtorë. 

Ky debat për fushëveprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit "Përkrahje për komunikim në procesin për integrim evropian" që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me ministrinë e Integrimeve Evropiane". /B.Ibishi

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress