Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 16.07.2019 07:20

​​Kërkohet që rezoluta për krimet serbe të quhet për gjenocidin në Kosovë

Prishtinë | 23/04/2019 16:42

Komisioni Ad-hoc sot ka shqyrtuar draft-rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit serb, me ç’rast anëtarët e këtij komisioni kërkuan që kjo rezolutë të quhet për gjenocidin serb në Kosovë.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se e veçanta e kësaj rezolute do të ishte nëse do të quhej e tillë, pasi pjesët tjera sipas tij janë të panevojshme.

Për këtë u pajtuan edhe anëtarët tjerë të komisionit, me ç’rast Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se rezoluta në Kuvend do të shkojë me emër.

Deputetja Aida Dërguti nga Partia Socialdemokrate kërkoi të bëhet listimi i vendeve të masakrave e po ashtu të numrit të viktimave, propozim ky që ka gjetur përkrahjen edhe të anëtarëve tjerë të komisionit.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se pjesë e draft-rezolutës duhet të jenë edhe vrasjet e organizuara masive.

Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike të Kosovës ka kërkuar që të dhënat që paraqiten të jenë të sakta dhe të krijohet një Tribunal për krimet serbe në Kosovë.

Për fokusimin e rezolutës në gjenocid, u pajtua edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai mori përsipër që të ristrukturojë edhe një herë këtë draft-rezolutë me sugjerimit e propozuara, ku të njëjtat do të paraqiten të martën në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 15 prill ka miratuar formimin e komisionit Ad- Hoc të propozuar nga deputeti i Nismës Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress