Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 22.10.2019 07:28

​Kërkohet angazhim më i madh për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit

Prishtinë | 22/09/2019 16:27

Në përmbyllje të Javës së Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Javës Evropiane të Mobilitetit, u kërkua që të ketë më shumë kujdes dhe angazhim për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, teksa në Prishtinë u theksua nevoja që të ndalohet përdorimi i ngrohjes me thëngjill dhe veturave në brendësi të qytetit.

Në kuadër të këtij aktiviteti për të përcjellë mesazhet e tyre për ruajtjen e mjedisit, ishin të pranishëm ambasadori gjerman, Christian Heldt, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. 

Kryetari Ahmeti vuri në pah dy problemet që po e ndotin mjedisin në kryeqytet, që sipas tij janë ngrohja me thëngjill dhe përdorimi i shumtë i makinave.

Për të parën, i pari i Prishtinës tha se janë duke bërë zgjidhje me një projekt 40 milionësh për ngrohje me energji solare.


Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt duke folur për sfidat që po i sjell ngrohja globale, tha se duhet të ketë një angazhim më të madh, pasi sipas tij askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë, teksa iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe ta duan mjedisin.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Kosova e së ardhmes është Kosovë e gjelbër, teksa dha edhe tri mesazhe që sipas tij janë në kuadër të përmirësimit të mjedisit.

Edhe pse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në këtë aktivitet, ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi nuk ishte i pranishëm dhe në emër të tij foli këshilltari Leutrim Sahiti, i cili foli mbi angazhimet e MMPH-së për përmirësimin e mjedisit dhe ruajtjen e digave të lumenjve në Kosovë.

Ndërkaq,  nga përfaqësues komunalë të Prishtinës u treguan disa prej sukseseve që janë bërë për krijimin e shtigjeve për biçikleta, siç është bërë në rrugën “Zagrebi”. /KosovaPress/ 


Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress