Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 09.12.2018 09:41

​Jahjaga u shpall Qytetare nderi e qytetit të Panamasë

Prishtinë | 02/04/2014 09:20

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Panama, me ftesë të Presidentit Ricardo Martinelli, u shpall Qytetare nderi e qytetit të Panamasë dhe iu dorëzua çelësi i këtij qyteti.

Titulli Qytetare nderi iu dha Presidentes Jahjaga, në një ceremoni të organizuar nga kryetarja e qytetit të Panamasë, zonja Roxana Méndes de Obarrio, në vendimin e së cilës thuhet se "çelësi i qytetit dhe titulli i qytetarit të nderit i jepet Presidentes Jahjaga për përfaqësimin dhe prezantimin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe kontributin në procesin e konsolidimit ndërkombëtar dhe njohjeve për vendin".

Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Vietnamit z. Nguyen An Duy, ambasadori i Italisë z. Giancarlo Maria Curcio, ambasadori i Panamasë në Holandë, jorezident për Kosovën, z. Jose Manuel Teran Sitton, dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Panama, zonja Zana Rudi.

Pas ceremonisë së ndarjes së titullit Qytetare nderi dhe dorëzimit të çelësit të qytetit të Panamasë, Presidentja Jahjaga në fjalën e saj tha:

E nderuara kryetare e komunës Roxana Méndes de Obarrio,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik në Panama,

Dëshiroj t'ju shpreh mirënjohjen time më të thellë që më bëtë pjesë të qytetit tuaj, të qytetit të Panamasë. Jam shumë e nderuar për miqësinë që po tregoni, sepse kjo do të thotë shumë jo vetëm për mua por për të gjithë popullin e Kosovës. Ju falënderoj, me sinqeritetin tim më të madh dhe e pranoj me shumë nder këtë çelës dhe titullin Qytetare nderi e qytetit të Panamasë.

Jam e nderuar që me ftesë të Presidentit Martinelli vizitoj vendit tuaj dhe kam mundësinë të shoh nga afër këtë qytet kaq të veçantë, me një traditë të vjetër, që është simbol i kulturës, i zhvillimit, i përparimit dhe i ekonomisë. Qytet që gërsheton të vjetrën me të renë, që vlerëson traditën dhe që e vë atë në funksion të zhvillimit.

Dua t'ju siguroj që ky nder që ma bëtë sot mua, mbart më vete një vlerë të madhe për të dy popujt tanë, dhe dëshmon se vendet tona, pavarësisht se mund të jenë në dy anë të ndryshme të botës, po ndërtojnë miqësi të bazuar mbi mirëkuptimin e përbashkët.

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mikpritjen kaq të ngrohtë që ma bën qytetarët e Panamasë, te të cilët pash vlera të cilat i ndajnë edhe qytetarët e vendit tim, vlera të një bote demokratike dhe të përparuar.

Këto vlera të botës demokratike i përfaqëson sot edhe shteti im që ka përmbyllur një histori të dhunës dhe të luftës jo më shumë se 15 vjet më parë, duke u shndërruar sot në një vend të tolerancës, mirëkuptimit, gjithëpërfshirjes së qytetarëve të tij.

Republika e Kosovës, që ka shpallur pavarësinë e saj 6 vjet më parë, është një rrëfim i suksesshëm i qytetarëve dhe institucioneve të tij dhe i bashkësisë ndërkombëtare, një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë.

Ne jemi një shtet i vogël në Evropën Juglindore, i përkushtuar për të krijuar marrëdhënie miqësore me shtetet kudo në botë, dhe miqësia jonë me Panamanë, që ishte ndër vendet e para të Amerikës Qendrore që njohu vendin tim, simbolizon njohjen e vlerave të përbashkëta të shoqërive tona dhe garancinë për një botë më të mirë e gjithëpërfshirëse.

Dy vendet tona po tregojnë se sa e mundshme është për të ndërtuar miqësinë dhe sa e qëndrueshme mund të jetë ajo kur bazohet në respektin e ndërsjellët dhe në mirëkuptim.

Prandaj Kosova dhe Panamaja kanë çka t’i ofrojnë njëra tjetrës. Shkëmbimin e vlerave të shoqërive të të dyja vendeve dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat që janë interes i përbashkët i yni.

Dëshiroj të shpreh një falënderim të veçantë dhe për ju kryetare e Komunës, znj. Mendes. Ju po tregoni që jeni një shembull i qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, duke i qëndruar pranë qytetarëve dhe duke iu ofruar atyre mundësi të barabarta dhe qasje në shërbimet që ju sigurojnë një jetë dinjitoze, ashtu siç e meriton çdo qytetar i botës.

Dhe sërish e theksoj se miqësia në mes dy vendeve tona do të jetë e vazhdueshme dhe e mbështetur në përkushtimin për ta forcuar atë.

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress