Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 11.12.2018 12:15

​Interesim i madh për Sunny Hill, në të ardhmen ftohen Rita dhe Bebe Rexha

Prishtinë | 07/08/2018 20:41

Ndërkohë që tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për Festivalin Sunny Hill, organizatorët kanë bërë të ditur se në edicionin e radhës do të ftohen edhe këngëtarë të tjerë të njohur të skenës botërore si Rita Ora dhe Bebe Rexha.

Festivali i parë ndërkombëtar i muzikës që do të mbahet në Prishtinë më 10,11 dhe 12 gusht, ka krijuar interesim të jashtëzakonshëm tek audiencat nga shtatë kontinente të botës.

Këngëtari Action Bronson, në një konferencë për media, tha se është krenar me origjinën e tij shqiptare, duke pranuar se megjithatë kjo është hera e parë që viziton Kosovën.

“Absolutisht, 100%. Duke u rritur në një familje me 50 shqiptarë, gjyshërit e mi, babanë, xhaxhain dhe kushërinjtë është si të rritesh me shokët e tu më të mirë. Është një çmenduri, kam mësuar aq shumë, ziheshim tërë kohën, dhe natyrisht kishim ushqimin më të mirë në botë.

Ai ka thënë se shqiptarët kanë një imazh më të mirë se më parë përmes artistëve, punës letrare, pikturave dhe artit.

“Është e mrekullueshme. Të gjithë këta artistë shqiptarë po krijojnë shumë gjëra  të bukura dhe që të jemi në gjendje që t’i bëjmë të gjithë së bashku dhe gjithçka të jetë rreth prejardhjes shqiptare është një gjë e bukur”, tha ai.

I pyetur nëse Festivali Sunny Hill ka për qëllim t’i paraqesë botës një imazh ndryshe të Kosovës dhe nëse do të ketë ndonjë projekt në vendin tonë, Action Bronson konfirmoi se do të xhirojë “Fuck, that’s delicious”, një seri amerikane e një dokumentari gastronomik, nikoqir i së cilës është vetë ai.


Ndërsa, Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur Dua Lipa, tha se fillimisht ka qenë e përbashkët ideja për të bërë diçka prej vitit 2016 kur është mbajtur koncerti i bamirësisë, me ç’rast ka lindur ideja e formimit të një festivali.

“Me kënaqësinë më të madhe mund të them se kemi arritur të bëjmë një festival, i cili është më i madhi në Evropën Juglindore, me emra si Dua Lipa, Action Bronson, si Martin Garrix. Jemi ndër festivalet më të mira në Evropën Juglindore, kështu që kjo ëndërr e imja është duke u bërë realitet”, ka thënë ai.

I pyetur nga mediat nëse Rita Ora do të jetë pjesë e festivalit në të ardhmen, ai tha se do të ketë ftesë për të gjithë artistët e njohur shqiptarë.

Përveç Dua Lipës, Action Bronson, Martin Garrix, Stanaj dhe Gashit, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe Col3trane, Grace Carter, SG Lewis, Bondax, si dhe artistët më të mirë të skenës si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Oda, Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Dren Abazi, Gipsy Groove, Offchestra, Gamblemania, Kachinari, MTNJ, Alban Muja, Oda Haliti, Secret 47, Rrrron, Ylli Megi, Gon & Sonik, Kidda, Art Haliti dhe shumë e shumë emra të tjerë.

Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike.  /KosovaPress/ 

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress