Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 16.07.2018 02:03

​Haxhiu: Nuk dënohen kriminelët, por ata që mbrojnë sovranitetin

Prishtinë | 03/01/2018 16:51

Lëvizja Vetëvendosje po e quan absurd vendimin e gjyqtarit Beqir Kalludra i cili dënoi katër deputetët, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi me 5 vjet e 5 muaj burg me kusht, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila u dënua me 1 vit e 3 muaj, tha në një konferencë për media, se sikurse aktakuza ashtu edhe vendimi për dënimin e tyre është absurd dhe politik.


Madje, sipas saj në asnjërën prej këtyre seancave nuk është dëshmuar se gazi është armë. Vendimin për dënimin ndaj tyre, Haxhiu e quan dëshirë për t’u kthyer në të kaluarën, para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi asociacionin e komunave serbe, para peticionit të mbi 200 mijë qytetarëve dhe siç e ka quajtur ajo, para çmontimit që ia bën demarkacionit Shpejtim Bulliqi dhe profesorë e ekspertë të tjerë.


Haxhiu tha se me dënimin me kusht nuk e humbin mandatin, pasi sipas Kushtetutës vetëm dënimi me burg efektiv të formës së prerë.

E pyetur për nismën legjislative për amnistimin e deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës, ajo tha se ende nuk e ka parë atë derisa në ditët në vazhdim VV do të japë qëndrimin e saj rreth saj.

Ndërsa, deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, nuk është e penduar pse ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Madje, ajo tha se këtë do ta bënte edhe sot dhe kurdo që kërkohet.


Kadaj-Bujupi, ka shtuar se ajo personalisht asnjëherë nuk është ndjerë “më e përmbushur” në rolin e deputetes se sa për gjatë tri viteve të kaluara, kur ashtu siç edhe janë betuar, vepruan në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit.


Deputetët e VV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli u dënuan me 5 vjet e 5 muaj burg me kusht për shkak të hedhjes së gazit në Kuvend në legjislaturën e kaluar, si mjet për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe. /KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress