Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 12.12.2018 05:25

​Haradinaj: Ushtria kalon më 14 dhjetor, nuk rrezikon marrëdhëniet me NATO-n

Prishtinë | 06/12/2018 12:41

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot para deputetëve të Kuvendit se krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe mandatimi i saj javën që vjen, është proces i brendshëm dhe në përputhje me Kushtetutën, në atë mënyrë që nuk rrezikon marrëdhëniet me NATO-n.

Ai ka deklaruar se është Beogradi zyrtar që është aktivizuar për destabilizimin e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit është shprehur i bindur se taksa prej 100 për qind nuk mund të hiqet, por nuk përjashtohet mundësia që do të inskenohen raste nga Serbia, për ta paraqitur Kosovën si vend që shkel të drejtat humanitare.

Ai ka siguruar se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk rrezikon në asnjë mënyrë marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n. Teksa pohoi se është e vërtetë që nuk kanë arritur që të bisedojnë me secilën qeveri aleate të NATO-së, por theksoi se kanë zhvilluar takime intensive me shtetet që kanë vendimmarrje të plotë në aleancë.

Madje sipas tij, Kosova nga një shtet konsumues i sigurisë do të jetë edhe prodhues i sigurisë duke kontribuar në aleancë.

I pari i Qeverisë nuk ka lënë pa përmendur edhe deklaratat e Serbisë se FSK po përgatitet për veri, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë. Ai shtoi se do të shkojë në çdo vend të Kosovës, për t’iu treguar serbëve se asnjëherë nuk kanë se për çka të frikësohen pasi Serbia vetëm po i përdorë ata për viktimizim.

Për më tepër, kreu i Qeverisë theksoi se Kosova e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve në lufta të huaja, ndërsa në listën e pagave të Serbisë ka plot që paguhen për pjesëmarrje në anën e Rusisë, në konfliktet në Ukrainë dhe Siri.

Ai shtoi se askush në Kosovë nuk ka interes për jo-stabilitet dhe të vetmit që i intereson ndonjë skenar për destabilizim është Beogradi zyrtar.

Për më tepër, kreu i Qeverisë theksoi se Serbia po punon intensivisht me diplomatët, mediat dhe lobuesit e vet, ta paraqesë Kosovën si një vend të pa sigurt, por këtu nuk ka asnjë të vërtetë.

Kreu i ekzekutivit ftoi të gjithë deputetët të bashkohen pasi Kosova është e interesuar për stabilitet dhe vazhdimësi në qëllimet e saja./N.Jakupi/

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress