Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 20.06.2019 04:06

​​Haradinaj refuzon kërkesën e Kuçit për dorëheqje nga posti i deputetit

Prishtinë | 10/01/2019 18:33

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka aprovuar kërkesën e Blerim Kuçit, për dorëheqje nga posti i deputetit, i cili më 23 janar të vitit të kaluar kishte deklaruar se nëse deri në fund të vitit 2018 nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jepte dorëheqje nga posti që e mbanë.

Kështu bëri të ditur kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili këtë vendim të tij e arsyetoi duke thënë se dega e Suharekës nuk ka dashur që ta miratojë dorëheqjen e Kuçit.

Në një konferencë për medie, me rastin e aderimit të dhjetëra të rinjve në AAK, ai tha sot se nuk është në rregull t’i lënë proceset në gjysmë.

Kreu i ekzekutivit tregoi se kishte qenë në një takim në Suharekë, ku kanë qenë një numër i madh i strukturave të atjeshme dhe deputeti Kuçi, prej nga ka buruar edhe vendimi për refuzimin e kërkesës së këtij të fundit për dorëheqje.

“Baza, struktura e Suharekës kanë qenë kategorikisht kundër dhe kanë kërkuar prej tij që ai mos me e bë një gjë të tillë. Për këtë arsye, jam kanë i detyruar edhe unë në emër të të gjithë atyre që i kanë besu z. Kuçi, mos me e bë një gjë të tillë. Nuk është koha sot me i lënë proceset në rrugë. Edhe çështja e liberalizimit e ka një vonesë, por ju i dëgjut deklarimet prej Blerimit, disa herë ju kam thënë se nuk jemi dorëzuar në këtë temë, kështu që besoj se s’ka me i bë më nevojë fare me e shqyrtuar më tutje”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj nuk ka dashur të komentojë mos dekretimin e Gent Cakajt për shef të diplomacisë shqiptare, nga ana e presidentit Ilir Meta.

“Nuk kam të drejtë me e komentu këtë. Veç pse është qytetar i Kosovës, nuk kam të drejtë. Është çështje e institucioneve të Republikës të Shqipërisë dhe i respektojmë qëndrimet e tyre”, u shpreh ai.

I pari i AAK-së foli edhe për aderimet e reja në partinë që e drejton, ku tha se do t'i përgjigjen dëshirës së qytetarëve për të qenë pjesë e AAK-së.

Me disa fjalë, i pari i AAK-së iu drejtua edhe anëtarëve të rinj, ku shprehu mirënjohje dhe mbështetje për ta.

“Puna e demokracisë dhe detyrat e demokracisë vazhdojnë gjithë jetën sa një vend ka demokraci. Demokracia bëhet më e mirë, duke i bë partitë ma të mira, partitë politike të gjitha. Ardhja juaj është edhe një porosi pra, për një Aleancë më të mirë. Ju falënderojmë në besim dhe ju shprehim mirëseardhje dhe njëkohësisht përkrahje për ju të gjithë”, u shpreh ai, raporton KosovaPress.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress