Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 23.04.2018 07:34

​Haradinaj: Prioritet kemi arsimin

Prishtinë | 03/01/2018 15:58

Në ditën e parë të punës për këtë vit, kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, me ç’rast theksoi se në këtë vit do t’i japin prioritet sektorit të arsimit, shëndetësisë, prodhuesve, si dhe rëndësi në këtë vit do t’i kushtohet edhe kompleksit metalurgjik Trepça.

Kryeministri Haradinaj tha gjendja në arsim nuk është e mirë dhe se  këtë sektor duhet shumë punë.

Ai është zotuar se do të ofrojë përkrahje të madhe për Ministrinë e  Arsimit në çdo aspekt deri në ditën e mbajtjes së testit ndërkombëtar në arsim, Pisa.

Përveç sindikatave tjera, edhe sindikata e arsimit ka paralajmëruar greva dhe trazira sociale në janar për ngritje të pagave.

Kryeministri për këtë tha se rritja e pagave 4.6 për qind është në kuadër të premtimit elektoral për 30 për qind rritje në këtë mandate, mirëpo, tha se në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe llogaridhënie nga arsimtarët. Sa i përket trazirave sociale, Haradinaj tha se mund të bëjnë trazira, por vendimi është vendim dhe do ta respektojë si kryeministër.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se ky takim tregon se Qeveria ka prioritet arsimin, mirëpo sipas tij, ka shumë sfida për të ardhmen. Po ashtu ai tha se me kryeministrin kanë diskutuar për testin ndërkombëtar të arsimit Pisa dhe për punën dinamike që Kosova të dalë më mirë se herëve të kaluara.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për sigurinë dhe dukurinë e  përdorimit të drogës nëpër shkolla. Sipas tij, ende vazhdon prania e qytetarëve  që shpërndajnë drogë në shkolla. /KosovaPress/

 

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress