Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 11.12.2018 12:16

​Hapet ekspozita kushtuar diasporës “Unë jam Shqiptar”

Prishtinë | 10/08/2018 18:57

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Kosovës sot është hapur ekspozita “Unë jam Shqiptar”. Ekspozita për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, si dhe përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ajo përmban po ashtu fotografi të arbëreshëve të parë në Italinë e Jugut, si dhe fotografi të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi me këtë rast u shpreh se bashkëpunimi me Shqipërinë është një nga prioritetet më të larta të kësaj ministrie.


“Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në muzeun e Kosovës, trajton një përmbajtje kuptimplote dhe baras të njëjte si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla janë dëshmi e një hapësire shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve tona të përbashkëta edhe në të ardhmen. Si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dua të rikonfirmoj përkrahjen e plotë të ministrisë që aktivitete të tilla dhe projekte të përbashkëta ndërmjet dy muzeve të konsolidohen edhe më tutje, të zgjerohen dhe strukturohen edhe më shumë brenda fushëveprimit të këtyre dy institucioneve”, u shpreh Gashi.

Kalendari obligon të dy palët për realizim, por nuk nënkupton që institucionet të kënaqen me aq, u shpreh ndër tjerash Gashi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me një fjalë drejtuar të pranishme, ardhjen e diasporës e ka përshkruar si ndjenjë shumë të veçantë.

“Kjo ekspozitë mund të hapej shumë mirë në çdo vend ku jetojnë shqiptarë, jo vetëm në Tiranë, në Prishtinë, por në Bon, në Lozanë, në kudo, në Londër, pse jo, sepse e tregon do të thotë që ne jemi të shpërndarë kudo në botë, por nuk harrojmë një diçka që është më e rëndësishmja, që ne jemi shqiptarë, dhe si shqiptarë ne jemi të angazhuar për të mbrojtur gjenezën tonë, për të mbrojtur traditat tona, dhe për të dhënë simbole shprese që në vitet në vijim ne do të vazhdojmë, do të vazhdojmë të ecim përpara bashkë”, u shpreh Minxhozi.

Drejtori i  Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë Dorian Koçi, ka kujtuar historinë dhe ikjet e shqiptarëve ndër shekuj, për të vënë pah edhe ndihmën ekonomike të tyre.

Koçi në fjalën e tij kujtoi emigrimet politike dhe ekonomike të shqiptarëve në histori. /KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress