Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 29.06.2017 04:16

​​Gjendja e të drejtave të fëmijëve, alarmante

Prishtinë | 01/06/2015 14:25

Republika e Kosovës ka ligje shumë të mira dhe nëse i lexojmë do të krijojmë një përshtypje se jemi duke jetuar në një parajsë të të drejtave të njeriut. Por, realiteti në mes të asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet është krejt ndryshe. Nëse do të ishte ashtu siç janë ligjet nuk do të kishte nevojë që një fëmijë të dalë dhe të punojë punë që janë të ndaluara me konventat ndërkombëtare për fëmijët.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit AAB, me temën “Pozita e fëmijëve në shoqëri, të drejtat e tyre dhe format e ndryshme të abuzimit”, ku nga panelistët pjesëmarrës u diskutua gjendja dhe problemet me të cilat ballafaqohen fëmijët në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se angazhimi për të drejtat e fëmijëve nuk mjafton vetëm në institucione, por edhe në familje.

Ai deklaroi po ashtu se qëllimi i shërbimit korrektues në kuadër të kodit për të mitur në rastet e fëmijëve që devijojnë në aspektin shoqëror është që ata të kthehen në jetë, si qytetarë aktivë, të ndërgjegjshëm dhe kontributdhënës.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ishte më kritik sa i përket qasjes ndaj kësaj pjese të shoqërisë dhe kërkoi një angazhim më të madh institucional.

Shala po ashtu u shpreh se nuk ka të drejta të fëmijëve, nuk ka të drejta të pakicave dhe këto janë kategori të shpikura, sepse të drejtat e njeriut janë të drejta universale dhe janë të njëjta për të gjithë.

Adile Shaqiri nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale shpjegoi politikat e institucionit të cilin e përfaqëson në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së fëmijëve.

Nga kjo tryezë u kërkua një trajtim më i konsiderueshëm dhe më i veçantë ndaj fëmijëve, sepse janë kategori shumë e ndjeshme e shoqërisë dhe janë e ardhmja e vendit. /KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress