Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 23.02.2017 05:57

​Gjakovarët kërkojnë lirimin e komandantit të tyre

Gjakovë | 11/01/2017 17:40

Edhe në qytetin e Gjakovës, është mbajtur protestë për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj i arrestuar më 4 janar në Francë.

Mesazhin mbështetës nga Tropoja dhe Shqipëria,  e përcolli  veprimtari i Lëvizjes Kombëtare, Azgan Haklaj. Ai tha se Franca do i jap liri  Ramush Haradinajt, pasi që sipas tij ky është simboli dhe kryefjala e shqiptarizimit.

“Jam sot këtu për të përcjell mesazhin e mbështetjes nga Tropoja, por edhe nga gjithë Shqipëria, për Ramush Haradinaj. Dje, qindra qytetarë të Tropojës, në sheshin qendror të qytetit, heroit të kombit Bajram Curri, lëshuan kushtrimin një komb, një qëndrim për Ramush Haradinajn. Sot Lezha e Gjergj Kastriotit, Tirana  dhe gjithë qytetet e Shqipërisë, janë bashkë me ju, janë bashkë me Ramush Haradinaj. Jam i bindur thellë se Franca, mike e Kosovës, djep i lirisë, i barazisë dhe i vllaznimit do i jap liri Ramush Haradinajt. Do të ia jep lirinë Ramushit  sepse ai është simboli, kryefjala  i shqiptarizmit, është kallxuesi më autentik i qëndresës së shqiptarëve”, tha Haklaj.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se me këto tubime po tentojnë që sensibilizojnë të gjithë për padrejtësitë ndaj Kosovës.

Ai tha se arrestimi i Ramush Haradinajt është arrestim edhe i  Kosovës dhe se çdo minutë i Kosovës, pa Ramushin është një jetë shpresë për Serbinë.


“Ne sot jemi tubuar këtu, që të sensibilizojmë të gjithë për të padrejtësi ndaj Kosovës, kur e them Kosovën e kam fjalën ndaj Ramushit. Sepse sot Ramushi është Kosova, arrestimi i tij është arrestim i Kosovës...Nuk do të tolerojmë, të  vazhdojmë të paguajmë fatura të huaja. Fatura që nuk janë tonat, e të qenit kriminel i takon Serbisë, sepse ajo bëri padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës...Ne nuk duhet të gjykohemi si fajtor për  veprimet tona kundër pushtuesit dje e padrejtësive që edhe i lëshon edhe sot... Shteti francez e kupton se çka është te jesh çlirimtar i vendit tënd, e lirimi i tij është mbytje shprese për Serbinë dhe disa bashkëpunëtorë të saj këtu, se Kosova po mbetet pa zot shtëpie”, tha Lekaj.

Qytetari, Zenun Xhemajli i cili është edhe babai i katër dëshmorëve tha se me këtë arrestim kanë ngacmuar popullin shqiptar.


Sipas këtij qytetari Ramush Haradinaj duhet të lirohet sepse  është i pafajshëm.

“Ne nuk jemi të akuzuar prej Serbisë  jo veq Ramushi, por krejt populli i Kosovës. E dimë që Ramushi është i pa faj dhe na nuk kemi shkuar në Serbi për t’i nguc serbët, as Milloshin, as ... kurrë. Ne jemi kanë vëllezërit tanë, në tokën tonë, ata na kanë nguc, ata na kanë shtyp edhe na kanë vra. Unë i kam 4 djem të vrarë, jam babë i 4 dëshmorëve. Fshati jonë është shumë i dëmtuar edhe krejt Kosova, na lypim lirinë e Ramushit, se shumë padrejtë na kanë bo”, tha Xhemajli.

Përveq në Gjakovë protesta të ngjashme janë mbajtur sot edhe në Prizren, Pejë, Gjilan si edhe në Tiranë./KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress