Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 24.07.2017 12:30

​​‘Familjet e viktimave civile në Mitrovicë, rrezik për vazhdimin e plagëve të patrajtuara’

Mitrovicë | 30/07/2014 13:00

Mungesa e mbështetjes institucionale për një kategori të ndjeshme siç janë gratë e veja të viktimave civile, krijon kushte të rrezikshme për vazhdimin e varfërisë dhe plagëve të patrajtuara psikologjike tek fëmijët e tyre.

Kështu është konkluduar në një raport që e ka lansuar Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) me titull “Vegëza e Humbur”: Si shoqëria dhe institucionet e Kosovës po i dështojnë familjareve të viktimave civile të luftës në Mitrovicë”.

Raporti i cili përfshinë të gjeturat nga hulumtimet në terren me gratë të veja të viktimave civile, fëmijët e tyre, zyrtarët komunalë të Mitrovicës, përfaqësues të sektorit të OJQ-ve në Mitrovicë, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe ekspertë nga fushat e psikologjisë dhe punës sociale, QHDP konkludon se nevojat e tyre për strehim adekuat, pavarësi ekonomike, dhe përkrahje psikosociale, bëjnë që ato dhe fëmijët e tyre të jenë gjithnjë të rrezikuar nga varfëria dhe probleme të patrajtuara psikologjike.

“Mungesa e mbështetjes institucionale për një kategori të ndjeshme siç janë gratë e veja të viktimave civile, krijon kushte të rrezikshme për vazhdimin e varfërisë dhe plagëve të patrajtuara psikologjike tek fëmijët e tyre. Në intervistat e QHDP-së me gra të veja të viktimave civile, janë dokumentuar brengat e tyre për arsimimin dhe punësimin e fëmijëve të tyre. Intervistat e bëra me fëmijët e grave të veja të viktimave civile pasqyrojnë këto brenga. Intervistat po ashtu kanë dëshmuar se këto fëmijë kanë nevojë për të biseduar haptas mbi humbjen e prindit të tyre dhe mënyrën se si ndjehen të trajtuar nga shoqëria në përgjithësi”, thuhet në raport.

Më tutje raporti shpjegon në hollësi problemet e nivelit komunal në lidhje me ofrimin e shërbimeve sociale grave të veja, sikur mungesa e fondeve për Drejtorinë e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, mungesa e mbështetjes për buxhetim dhe politika gjinore në nivel komunal, dhe rënia e shërbimeve sociale të ofruara nga sektori i OJQ-ve në Mitrovicë.

“Edhe pse politikat dhe skemat sociale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë burimi kryesor i mjeteve financiare për gratë e veja të viktimave civile, nuk ka politika afatgjate për uljen e varfërisë në shoqërinë kosovare, dhe nuk ka politika afirmative në nivel qendror për pavarësimin e plotë të të gjitha grave viktima të luftës”, thuhet në raport.

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim është një OJQ e themeluar në vitin 2011, e cila merret me hulumtim dhe avokim në fushat e Ballafaqimit me të Kaluarën dhe Drejtësinë Tranzicionale. 

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress