Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 22.08.2019 09:12

​Ekskluzive: Biografia e Lavdrim Muhaxherit

Prishtinë | 28/01/2014 17:08

​Lavdrim Muhaxheri, që tas është lideri i luftëtarëve shqiptarë në Siri, ka punuar për KFOR’in amerikan, në kampin “Bonsteel” dhe për NATO’në në Afganistan. Ai në Ramazanin e viti 2013 ka qenë pjesë edhe e aktiviteteve të BIK’ut në Kaçanik, që dëshmohet nga disa foto që botohen për herë të parë.

Gazeta Express sjell rrëfimin për jetën e tij, për inkuadrimin në lëvizjet ekstremiste dhe ngritjen në pozita udhëheqëse në grupet e luftëtarëve të afërta me “Al-Qaida’në”.

Lideri i muxhahedinëve shqiptarë në Siri, Lavdrim Muhaxheri ka punuar për KFOR’in amerikan në Kosovë në kampin “Bonsteel” në Ferizaj, kanë bërë të ditur për Gazetën Express miq të tij në Kaçanik.

Lavdrim Muhaxheri apo i njohur si Komandant Muhaxheri, është zgjedhur në vitin që shkoi komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rrebeve anti-regjimit të Bashar Al-Asadit, por jo i pjesës që kërkon demokraci për Sirinë, por i krahut që lyp një Siri me sheriat-grupet e afërta me “Al-Qaida’së”.

Ai punoi si krah pune në Kampin “Bonsteel” për një periudhë të caktuar, deri në vitin 2010. Pas kësaj, miqtë tij tregojnë që ai ruajti raporte dhe rekomandime të mira nga punëdhënësit e tij-KFOR’i amerikan sa që me anë të një kompanie private, si shumë të rinj kosovarë, ai udhëtoi për të punuar në Afganistan, në kampet e NATO’së. Atje kishte punuar afro dy vite.

Miqtë e tij tregojnë për Express se Lavdrim Muhaxheri është lidhur me rrymat ekstremiste vetëm kah fundi i viti 2012, fillimisht në shoqatën lokale “Parimi”, nga e cila me vonë u krijua shoqata “Rinia Islame - Kaçanik”, ku Lavdrim Muhaxheri ka pozitën e “Emirit”- udhëheqësit të krahut ushtarak të organizatës.

Lavdrim Muhaxheri iu bashkua luftës në Siri, si muxhahedin, në vitin 2012, për t’u kthyer një vit më vonë. Ai deri në gjysmën e Ramazanit të viti 2013 ishte në Kosovë, ku më pastaj iu ri-bashkua luftëtarëve në Siri, ku edhe mori pozita udhëheqje.

Express ka siguruar fotografi ekskluzive nga aktivitetet e këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Kaçanik, këshill që udhëhiqet nga Florim Neziraj.

Gazeta ka provuar që të kontaktojë me Lavdrim Muhaxherin për të marrë një koment të tij në lidhje me punët e tij në kampin “Bonsteel” të KFOR’it dhe punën e tij në kampet e NATO’së në Afganistan, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as grupet me të cilat është i lidhur Lavdrim Muhaxheri. Lavdrim Muhaxheri u bë i famshëm fillimisht me një video në Youtube ku ai bënte thirrje për tu bashkuar të rinjtë shqiptarë mysliman luftës në Siri.

Ai më vonë mori rolin kryesor në sqarimin e përplasjeve të brendshme në kampin e rezistencës kundër Bashar Al Asadit, ku ishte edhe i pari nga shqiptarët që haptas konfirmoi që ekzistonin përçarje të thella në mesin e revolucionarëve, përçarje deri në ndjekje të njëri-tjetrit për vrasje.

Tash Lavdrim Muhaxheri udhëheqë togën e shqiptarëve, duke përfshirë edhe shqiptarët nga Shqipëria e Maqedoni, në strukturën që quhet “Ushtria e vendorëve dhe të huajve” në kampin e rezistencës kundër Asadit, e cila është e lidhur me krahun e Al-Nusras, derisa i raportojnë drejt për së drejti komandant “Ebu El-Bagdadit”. Ky kamp lufton edhe kundër Asadin, por edhe kundër Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë, një pjesë tjetër e revolucionare që pjesërisht përkrahen edhe nga forcat e perëndimit e që lypin largimin diktaturës së Sadit dhe krijimin e shteti demokratik të Sirisë./Express/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress