Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 13.12.2018 03:38

​Doruntina Maloku: Nuk do të lejojmë që PDK ta formojë komisionin për SHIK-un

Prishtinë | 11/01/2018 12:50

Vajza e veprimtarit të LDK-së, Enver Malokut, Doruntina Maloku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i heqë duart nga organet e drejtësisë, duke thënë se LDK nuk do të lejojë që PDK-ja të formojë komisionin për hetimin e SHIK-ut.

Ajo këto komente i bëri me rastin e përvjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku, me ç’rast anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë bërë homazhe te lapidari i tij.

E pyetur se a mund të ketë ndonjë iniciativë nga LDK-ja për të mbledhur nënshkrime që të hetohet SHIK-u, Doruntina Maloku thotë se është kundër formimit të komisionit për hetimin e SHIK-ut.


Për shkak të  gjendjes shëndetësore, në këto homazhe mungoi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ish-kreu i Prishtinës, Ismet Beqiri, theksoi se Enver Maloku i mungon jo vetëm Lidhjes Demokratike, por edhe Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.


Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut, në mënyrë që familja e tij të ketë qetësi shpirtërore.

I pyetur se a ka bërë diçka konkrete për hetimin e këtij rasti dhe rasteve tjera të vrasjeve politike, Beqiri tha se këtë punë duhet ta bëjnë organet kompetente, por sipas tij ka pasur interesa që këto raste të mos zbardhen.

Enver Maloku është vrarë më 11 janar të vitit 1999 në rrethana ende të pasqaruara dhe rasti i tij ende nuk është zbardhur./KosovaPress/

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress