Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 22.10.2018 09:49

​Deputetët e Kosovës, punojnë pak, paguhen shumë!

Prishtinë | 08/10/2018 15:43

Të ardhurat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për një muaj tejkalojnë shumën prej 2 mijë euro, por jo rrallëherë, ata vetëm nënshkruhen në listën e pjesëmarrjes dhe nuk qëndrojnë në seancë plenare, duke pamundësuar kështu shpesh edhe kuorumin.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë po thonë se deputetët duhet të sanksionohen për këto veprime. Ndërkohë, institucioni i Kuvendi thotë se koha e qëndrimit në sallë është në vullnetin e deputetëve.

Edhe kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës po përballet me mungesën e deputetëve në sallën e seancave plenare.

Jo rrallëherë, ligje e projektligje shtyhen për në mbledhjen e radhës, meqë deputetët e lëshojnë sallën, ku punimet nuk braktisën vetëm nga deputetët e partive opozitare, por edhe nga ato në pushtet.

Këtë Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, e quan anomali dhe sipas tij, deputetët që nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit, por vetëm nënshkruhen, do të duhej të penalizoheshin.

Ndërsa Rasim Alija nga D4D thotë se puna e Kuvendit të Kosovës ka degraduar dhe aktualisht Kuvendi nuk është vendi ku shqyrtohen e miratohen ligje.

Sipas tij, duhet të ndryshojë kultura politike, dhe përgjegjësia e secilit deputet.

KosovaPress ka pyetur Kuvendit e Kosovës se a ka ndërmend të ndërmarrë masa për këto raste.

Në Republikën e Kosovës ku pagat mujore sillen nga 130 deri në mbi 400 euro, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të kenë pagë pesë herë më të lartë sesa paga mesatare në vend.

Kosova e dalë nga lufta që 19 vjet ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë.

Madje, shkalla e papunësisë ka arritur në më shumë se 26 për qind, ndërkohë që nuk ka pas as rritje ekonomike më të lartë se 4 për qind, për disa vjet.

120 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 euro në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Ata marrin nga 240 euro për dy seanca në muaj.

Ata fitojnë shtesa prej 160 euro edhe për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Problemin me mos-pjesëmarrjen në seanca, Murati nga KDI thotë se do të mund ta zgjidhnin lehtë, por mungon vullneti politik i grupeve parlamentare.

Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tregon se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare.

Pastaj, edhe të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe Komisionet e Kuvendit dhe mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress