Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 21.07.2019 05:43

​Dëbimi i shtetasve turq, Thaçi raporton të premten para Komisionit hetimor

Prishtinë | 23/04/2019 16:19

Për herë të katërt me radhë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, nuk ka ardhur para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ku ka qenë i ftuar të raportojë sot.

Ndryshe nga herët e tjera, kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se kësaj radhe Zyra e Presidencës ka komunikuar me komisionin për të caktuar 26 prillin si datë kur presidenti Thaçi do t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Kështu, komisioni u pajtua që intervistimi i presidentit të bëhet këtë të premte.


Po ashtu, me propozim të kryetarit të këtij komisioni, Xhelal Sveçla, u mor vendim që të ftohen për ri-intervistim ish-drejtori i AKI-s, Driton Gashi, ai i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni si dhe 2 zyrtarë të tjerë të AKI-së të përfshirë në deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Kërkesën e tij për riinvestimin e dy ish-drejtorëve, atij të AKI-së dhe të Policisë, Sveçla tha se e mbështet mbi deklaratat e tyre të cilat kanë rezultuar të jenë kundërthënëse.


Derisa mbledhja vazhdonte, deputetët diskutuan edhe për kredibilitetin e këtij komisioni dhe draft-raportin e hartuar lidhur me këtë çështje.

Teksa kanë komentuar edhe mungesën e presidentit Hashim Thaçi për t'iu përgjigjur ftesës për të raportuar aty, ku në përgjithësi u shprehën pro asaj që të respektohet kërkesa e presidentit që kjo të ndodhë më 26 prill.


Deputeti Muharrem Nitaj foli për draft-raportin e komisionit. Sipas tij, raporti mund të plotësohet pas raportimit të presidentit Thaçi para këtij komisioni.

Sipas tij, qëllimi i raportit nuk është që të marrë dhenë, as propaganda, por që të ndriçohet fati i shtetasve turq.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni u shpreh se është mirë që mandati i komisionit është vazhduar edhe për një kohë të caktuar, duke thënë se është mirë që presidenti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

Kurse deputeti nga radhët e PDK-s, Hajdar Beqa, tha se anëtarët e këtij komisioni e kanë humb kredibilitetin e tyre duke vepruar edhe jashtëligjshëm.

Edhe bashkëpartiakja e tij, Ganimete Musliu, tha se Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, ka vepruar jashtëligjshëm. Teksa bëri të ditur se tash e mbas do të ndjekë heshturazi mbledhjet e këtij komisioni, duke mos marrë pjesë në asnjë nga diskutimet.

Sipas saj, në Kosovë po krijohet një precedent, pasi komisioni po shkon pas raportit të prokurorit.

Kështu, deputeti nga radhët e LDK-s, Driton Selmanaj, është shprehur pro datës 26 prill, përkundër asaj që sipas tij, deri më tash presidenti Thaçi nuk i është përgjigjur ftesës së komisionit, pasi vlerëson se ky i fundit është një nga dëshmitarët kyç.

Ai pati vërejtje për anëtarët e komisionit, ku tha se ky komision nuk e ka kredibilitietin, pasi sipas tij deputetët nga pozita kanë penguar punën e komisionit.

Këtu reagoi deputeti Nitaj, i cili tha se është mirë që deputeti i tij parafolës të flas me emra dhe mbiemra.

Edhe deputeti Hajdar Beqa kundërshtoi deklaratën e deputetit Selmanaj, duke thënë se nuk janë të vërteta dhe për këtë u shpreh se dëshmojnë transkriptat. Sipas tij, opozita shpesh e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen për shkak të datave të mbledhjeve.

E, Selmanaj shprehi gatishmëri të ballafaqohet, në rast se gjendet ndonjë nen ku e ka shkelur ligjin.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se ka pasur pengesa nga disa deputetë të caktuar, të cilët sipas tij, kanë mundur të veprojnë ashtu për shkak të politikave.

Ndërsa sa i përket draft-raportit, Kurteshi tha se komisioni ka bërë një punë shumë të mirë.

Sipas tij, ka pasur pengesa, por sipas tij, ka për të ngjarë që raporti i komisionit të trajtohet si një përmbajtje shumë e vlefshme por që mund të mos marrë votën politike.

Ndërsa për Frashër Krasniqin nga PSD, publikimi i raportit para se të merret në komision, është i ngutshëm po aq sa është pozicion problematik refuzimi i raportit të ekspertit.


Ndryshe, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, më 26 prill në ora 13 do të pres në intervistim presidentin Hashim Thaçi dhe më 3 maj do të intervistojë 4 zyrtarë të tjerë të AKI-s./KosovaPress/


Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress