Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 07.12.2019 01:28

​Daka: Subjektet politike ta ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik

Prishtinë | 15/11/2019 12:44

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke iu përmbajtur rregullave dhe procedurave të kësaj qendre, të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik.

Daka me një deklaratë publike ka bërë të ditur se çdo cenim i procedurave dhe rregullave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve është në kundërshtim me deklaratën e vëzhguesit të nënshkruar prej tyre si dhe në kundërshtim me ligjin.

“Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim.  Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”. Unë mirëkuptoj vërejtjet për kohëzgjatjen e procesit zgjedhor, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për obligim ligjor që të zbatojë vendimet e institucioneve gjyqësore dhe të gjithëve na takon që të kujdesemi për këtë proces zgjedhor që të gjithë e vlerësuan si një nga proceset më të mira në historinë e zgjedhjeve të vendit tonë”, ka thënë ajo.

Deklarata e plotë e Dakës:

Si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhje e shoh të nevojshme të njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi zgjedhor është në fazë të rëndësishme të tij dhe se aktualisht si institucion jemi duke zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e më shumë se 1 mijë e 400 vendvotimeve.

Në këtë fazë, e shoh të nevojshme që të jap këtë mesazh për të gjitha palët që janë pjesë e procesit si dhe duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; t’u përmbahen rregullave dhe procedurave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik.

Gjithashtu, u bëj me dije se çdo cenim i procedurave dhe rregullave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve është në kundërshtim me deklaratën e vëzhguesit të nënshkruar prej tyre si dhe në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim. 

Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”.

Unë mirëkuptoj vërejtjet për kohëzgjatjen e procesit zgjedhor, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për obligim ligjor që të zbatojë vendimet e institucioneve gjyqësore dhe të gjithëve na takon që të kujdesemi për këtë proces zgjedhor që të gjithë e vlerësuan si një nga proceset më të mira në historinë e zgjedhjeve të vendit tonë.

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress