Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 07.12.2019 01:32

​Basha: Të ndalen lojërat e rrezikshme me Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 15/11/2019 23:21

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp pasditen e sotme në selinë e kësaj partie, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se kërkon të kapë institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Ai i ka quajtur veprimet më të fundit të Kuvendit si tentativë për të kontrolluar politikisht drejtësinë.

“Gjatë 3 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të paprecedentë në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë të mbushur me ngjarje të rënda sa i përket aspektit kushtetues, sa i përket marrëdhënieve të institucioneve dhe përpjekjeve për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese tregon më qartë se kush nuk e do drejtësinë e pavarur, cili dhe cila forcë ka investuar tash 3 vjet ta kapte, ose ta bllokonte reformën në drejtësi, kush nuk e do gjyqësorin e pavarur, kush nuk e do SPAK-un dhe BKH-në sipas Kushtetutës dhe po kështu ka ekspozuar një nga faktorët kryesorë pse jemi në këtë gjendje të rëndë politike, ekonomike, sociale, institucionale, kushtetuese me pasoja të tmerrshme për ekonominë e vendit, për gjithsecilin prej jush dhe familjeve tuaja dhe me pasoja të përsëritura për futjen e Shqipërisë në Europë”, u shpreh Basha.

Sipas tij, Kryeministri Rama ka shkelur mbi kompetencat e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses.

“Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, kapja e çdo institucioni tani nuk është më përjashtimi por rregulli. Kurajo me të cilën kjo mazhorancë dhe ky Kryeministër u përpoqën të shkelnin dhe të dhunonin Kushtetutën, të uzurponin kompetencat e një institucioni tjetër, siç është ai i Presidentit të Republikës, në mënyrë që të kapnin një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që me Kushtetutë nuk i takonte të emërohej as nga Edi Rama, as nga Ardian Dvorani, por nga Presidenti i Republikës dhe lehtësia me të cilën u munduan ta kalojnë këtë tregon dimensionin e vërtetë kriminal të këtij plani për kapjen e çdo institucioni dhe është mbi të gjitha treguesi i paligjshmërisë totale ku noton vendi,” deklaroi ai.

Kreu i PD tha ndër të tjera se, edhe parlamenti aktual është i paligjshëm dhe se të gjithë ligjet e miratuara prej tij janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Parlament i paligjshëm me gjoja 122 deputetë, nga të cilët, vetëm 82 kanë mbetur në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe që nga mëngjesi deri në darkë, ose bëjnë teatër me fatet e shqiptarëve, ose kalojnë ligje që vjedhin dhe kërdisin xhepat e shqiptarëve, grabisin pasuritë dhe pronat e tyre dhe iu hapin rrugë pamjeve të tmerrshme, siç janë ato të dhunimi të banorëve tek Unaza e Re, apo kudo tjetër, ku në vend që ligji të garantojë jetën dhe pronën e tyre, vihen në lëvizje instrumentet që ligji parashikon të mbrojë  të drejtat e qytetarëve për të goditur qytetarët”, deklaroi Basha.

Kreu i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që t’i japë fund lojërave të rrezikshme, sic i quajti ai, me Gjykatën Kushtetuese, duke kujtuar se ky funksionimi normal i këtij institucioni është dhe një ndër kushtet e Bundestagut dhe Europës për çeljen e negociatave.

“Edi Rama e kishte jetike kapjen e Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo do të gjykojë çështje shumë të rëndësishme, disa prej tyre urgjente, si 30 qershori, kapja e Presidentit, duke shkarkuar presidentin aktual. Por Gjykata Kushtetuese është dhe një nga kushtet e Bundestagut dhe Europës. Nëse mendon se mund t’ia hedhë Bundestagut, Edi Rama harron se Bundestagu është institucioni më i informuar. Thirrja ime e parë ndaj PS është të ndalë lojërat e rrezikshme me Gjykatën Kushtetuese dhe të lejojë funksionimin normal të saj. Shqipëria ka nevojë jetike për një drejtësi të pavarur. SPAK-u dhe BKH janë jetike për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pse po vonohet? Që të jetë nën kontroll politik,” tha Basha./ATSH/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress