Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 20.01.2020 02:33

​Baraliu: Vendimi i kushtetueses për pagat të respektohet, të ndalen grevat

Prishtinë | 13/12/2019 11:32

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për paga deri më 30 mars të vitit të ardhshëm duhet të respektohet pavarësisht atyre që pretendojnë që mund të ketë interferime politike ose ndonjë skenar të mundshëm, ndërsa protestat e organizuara nga sindikatat të ndalohen për të mos u dëmtuar procesi arsimor.

Kështu vlerëson njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu derisa shprehet i habitur pse Kushtetuesja mori vendim të shpejt dhe pezulloi në tërësi ligjin i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, e jo pjesërisht ashtu siç kishte iniciuar institucioni i Avokatit të Popullit.

Madje, Baraliu deklaron se edhe po të formoheshin institucionet e reja më 24 dhjetor, ashtu siç është paralajmëruar, interferimi ndaj vendimit të gjykatës do të ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Profesori universitar Baraliu ka theksuar për KosovaPress, se me anë të këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar mendim të Komisionit të Venecias dhe për të marrë një vendim përfundimtar si duket Gjykatës Kushtetuese i duhet edhe ekspertiza e këtij komisioni.

Njohësi i Kushtetutës së Kosovës shton se po të vepronte Kushtetuesja në frymën e parashtresës së Avokatit të Popullit që pjesërisht disa prej dispozitave t’i kontestonte, ka pasur mundësi që ligji të zbatohet në tërësinë e tij dhe aty ku janë bërë gabime ose aty ku ka pretendime për gabime për pabarazi ose siç kanë pretenduar disa sindikata për diskriminim, atëherë vetëm ajo pjesë do të duhet trajtuar. Sipas tij, meqë gjykata në këtë rast ka marrë masën e pezullimit në tërësi të ligjit, do të thotë të gjitha dispozitat e tij nga e para deri te e fundit pezullohen për t’u zbatuar deri në datën që e ka përcaktuar gjykata që është 30 marsi i vitit të ardhshëm.

Baraliu duke kërkuar nga sindikatat respektimin e vendimit të Kushtetueses, thotë se duhet pritet vendimi përfundimtar për Ligjin e Pagave, ngase mund të jetë në favor të tyre.

Baraliu thotë se edhe po të konstituohej kuvendi dhe qeveria më 24 dhjetor, interferimi ndaj vendimit të kushtetueses, do të ishte ndërhyrje në drejtësi, teksa shton se Gjykata Kushtetuese do ta rishqyrtoi ligjin si tërësi, të gjitha dispozitat e tij dhe do të marrë një vendim, i cili domosdshmërisht duhet të respektohet pa  ndërhyrje dhe kushdo që ndërhynë do të përzihej në ingirencat e Gjykatës Kushtetuese dhe në drejtësinë e Kushtetutës. 

Ndryshe, ligji për paga në sektorin publik është miratuar në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2019, dhe ka filluar të zbatohet më 1 dhjetor të këtij viti, por pas parashtresës më 35 ankesa të subjekteve të ndryshme, Avokati i Popullit kishte iniciuar disa dispozita të këtij ligji për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit nxori vendimin brenda javës për pezullimin e ligjit në tërësi deri më 30 mars 2020.  

Ndërsa, profesori universitar ka kërkuar formimin e institucioneve të reja sa më parë nga partitë politike të cilat janë në negociata për të mos pasur ndonjë kolaps ose impakt negativ në aspektin ekonomik në vend./KosovaPress/   -

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress