Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.07.2019 02:42

​​Banorët e Koshtovës ultimatum: Të mbyllet deponia deri më 1 tetor

Prishtinë | 16/05/2019 18:52

Me tensione dhe fjalime të ashpra të herë pas hershme, është zhvilluar sot në Mitrovicë debati mes banorëve të Koshtovës me rrethinë dhe kryetarëve të komunave të Mitrovicës e Vushtrrisë, rreth deponisë regjionale të mbeturinave në Koshtovë.

Në këtë tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si zgjidhje e problemit të kësaj deponie, u pa riciklimi, ndërsa banorët thanë se nëse kjo deponi nuk mbyllet deri më 1 tetor të këtij viti, do ta bllokojnë rrugën që shpie tek deponia dhe nuk do të lejojnë asnjë kamion të qarkullojë atje.

Haxhi Salihu, kryetar i Këshillit të banorëve të Koshtovës, tha se është mendim i përbashkët i banorëve të këtij fshati që deponia sa më parë të largohet nga ky lokacion.     

“Disponimi i fshatit është që kjo deponi sa më shpejtë që është e mundur të largohet nga këtu”, ka thënë Salihu.

Gjylazim Baliu nga fshati Koprivë, ka bërë të ditur se nëse kjo deponi nuk mbyllet deri më 1 tetor, asnjë kamion nuk do të mund të qarkullojë më rrugës që shpie drejt deponisë, pa shkelur mbi 2 mijë banorët e fshatit Koshtovë.

“Nëse nuk mbyllet deponia deri më 1 tetor, për ne nuk vlen më. Hiç mos e mbuloni më kurrë, më 1 tetor kamion më atje lart nuk kalon, sepse jemi vëllezër dhe më mirë të flasim hapur. Më 1 tetor më kamion lart nuk ngjitet, jo pa shkelur mbi 2 mijë banorë të fshatit Koshtovë”, potencoi Baliu.

Nexhmedin Hajredini, banor i fshatit Koshtovë, pasi prezantoi një kronologji të shkurtër rreth deponisë, tha se banorët e këtushëm ballafaqohen me probleme të mëdha dhe serioze, si pasojë e kundërmimit. Sipas tij, në deponinë e bërllokut në Koshtovë hudhen mbetje spitalore, amputime, mbetje shtazore, asht, planc, dhe nuk bëhet gropimi i qenve të vrarë që hedhen aty. Ai sqaroi se sipas standardeve, një deponi ka qëndrueshmëri 15 vite, dhe kjo qëndrueshmëri ka përfunduar më vitin 2017, sa i përket deponisë së Koshtovës, andaj e quajti deponi ilegale.

Kjo deponi është ilegale dhe si e tillë nuk mund të funksionojë më në fshatin Koshtovë.…Nëse nuk ndërmerret diçka deri më 1 tetor, ne kemi me qenë të shtrënguar me blloku rrugën dhe mos me lënë më asnjë kamion me depërtu nalt”, tha Hajredini.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke u shprehur se bashkëndjenë me problemin e banorëve të këtushëm, tha se ka kontaktuar një kompani për riciklimin e mbeturinave, në mënyrë që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, shtoi ai, kompanisë, e cila ishte e gatshme të investojë 43 milionë dollarë, nuk iu dha pëlqimi, sepse dikush nga niveli qendror për shkak të përfitimeve personale, e ndali procesin.

Bahtiri premtoi se do të angazhohet maksimalisht që çdo një muaj e gjysmë të mbulohen mbeturinat dhe do të jetë përkrah banorëve deri sa të arrihet një zgjidhje përfundimtare për këta banorë.

“Ky problem që sot po e trajtojmë jam munduar ta zgjidhi njëherë e përgjithmonë. Kam kontaktuar me një kompani ‘Green power’, e cila e ka parë terrenin, e ka matur edhe sasinë e mbeturinave. Janë 150 tonelata mbeturina në ditë që deponohen nga tre komunat, dhe kemi bërë një projekt që ata kanë pasur të investojnë 43 milionë dollarë për të bërë një fabrikë të riciklimit të mbeturinave dhe asgjësimit të tyre. Kishte me dhënë edhe rrymë prej 12 megavatëve. Ne si komunë ia kemi ndarë 10 hektarë tokë në zonën e lirë ekonomike. Dhe çka ndodhur, ndodhi ajo që nuk e flet askush…Dikush është që po e ndal procesin për të përfituar vet në nivelin qendror që sot mos të kemi fabrika të tilla në Kosovë. Kështu që nuk ju ka dhënë pëlqimi për të filluar punën... Fjala e dhënë është kjo se çdo një muaj e gjysmë së bashku me një komision nga ju kanë me u mbulu mbeturinat dhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme me komision. Ky është premtimi im që do ta mbaj… Do ta hulumtojmë çdo zgjidhje së bashku me juve, që njëherë e përgjithmonë kjo padrejtësi shumë e thellë që ju është bërë banorëve të Koshtovës njëherë e përgjithmonë me përfundu. Ju kisha lutur shumë, që të mos bëni ultimatume, sepse s’keni kujt t’i bëni, ngase unë jam i juaji dhe ju i bëni vetvetes. Ai njeri që më drejtohet mua, i është drejtuar vetes, sepse unë jam bashkë me juve”, theksoi Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, deponinë e mbeturinave e quajti sfiduese dhe aspak të lehtë. Sipas tij, duhet kohë për të eliminuar problemet me deponinë, ndërsa potencoi riciklimin si zgjidhje afatgjate të këtij problemi.

“Vërtetë çështja e menaxhimit të deponisë këtu është një çështje sfiduese për të gjithë neve dhe nuk është aspak e lehtë. Nuk është një deponi që është krijuar tash apo kohëve të fundit dhe nuk është një problem që zgjidhet nëse ne edhe sot e ndërprejmë dhe nuk vendosim më mbeturina aty…Zgjidhja cila është, padyshim riciklimi”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, kjo deponi e mbeturinave në Koshtovë, ku brenda ditës hedhen rreth 150 tonelata mbeturina nga tre komunat, Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, ishte shkak që para tre javësh banorët e këtij fshati të bllokojnë magjistralen dhe rrugën që shpie në drejtim të deponisë, ndërsa pati edhe përleshje fizike mes banorëve dhe menaxhmentit të Kompanisë së mbeturinave ‘Uniteti’, epilogu i së cilës la disa të lënduar, raporton KosovaPress.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress