Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 20.08.2018 08:34

​Austria refuzon ta mbulojë Kosovën me Karton të Gjelbër

Prishtinë | 09/08/2018 13:20

Kushti i vetëm që ka mbetur për anëtarësim në Këshillin e Byrove për Kartonin e Gjelbër në Bruksel, është hyrja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara(OKB), edhe pse Kosova ka krijuar bazë ligjore duke krijuar 4 milionë euro fond rezervë.

Për përpjekjet e fundit të Kosovës që të gjendet një alternativë rreth këtij sigurimi, drejtori ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimit, Blerim Pushkolli sot tha se kanë marrë një  përgjigje nga Austria, e cila ka refuzuar pranimin apo mbulimin e Kosovës me Karton të Gjelbër. 

Drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimit kanë bërë të ditur se mbetet shqetësuese numri i veturave të pasiguruara në trafik që është në mes 35 deri 50 mijë.

Sipas Pushkollit, automjetet e pasiguruara paraqesin vazhdimisht rreziqe në komunikacion dhe dëmton buxhetin e shtetit.

Sa i përket Kartonit të Gjelbër si lehtësi për këtë policë, BKS që nga 19 maji i këtij viti ka mundësuar policat e sigurimit të blihet edhe online, por Pushkolli mohoi se kolonat e gjata po krijohen në kufi nga mërgimtarët për shkak të blerjes së policës në kufi.

Ai shtoi se mërgimtarët janë të informuar përmes një memorandumi që ka pasur BKS me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Diasporës, ndërsa kjo e fundit ka marrë përsipër sensibilizimin e opinionit për shitjen e policës online, por tha se pritjet e gjata në kufi kanë të bëjnë më tepër me kontrollet rutinore të policisë në të dyja anët e kufirit.

Sipas drejtuesve të BKS-së të hyrat nga primet e sigurimit kufitar për periudhën janar - qershor 2018 janë në vlerë 2 milionë e 421 mijë e 556 euro, ndërsa pagesa e dëmeve për këtë periudhë kap shifrën 2 milionë e 691 mijë e 563 euro.

Po ashtu, shpenzimet për këtë periudhë kanë qenë 916 mijë e 621 euro.

Ndërsa, nga primet e sigurimit kufitar për vitin 2017 ishin në vlerën prej 7 milionë e 292 mijë e 63 euro, derisa pagesa e dëmeve në vitin 2017 ishte 5 milionë e 486 mijë e 987 euro./KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress