Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 19.02.2019 11:13

​Ahmeti dorëzon kallëzimin penal ndaj VV-së, kërkon dëmshpërblim

Prishtinë | 12/02/2019 11:56

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ditën e sotme ka paditur për shpifje Lëvizjes Vetëvendosje rreth pretendimeve që kjo parti i ka bërë për Ahmetin për keqpërdorim të tenderit me qumësht për nxënësit e shkollave të kryeqytetit.

Rreth një muaj më parë Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar kallëzim penal me pretendimin se Ahmeti ka keqpërdorur 530 mijë euro në tenderin për qumësht.

I pari i Prishtinës pas dorëzimit të padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ka kërkuar dëmshpërblim, por ai u shpreh se shumën ia kanë lënë gjykatës që të vendos.

Kreu i Prishtinës, i ka bërë thirrje gjykatës që sa më shpejt të trajtojë këtë rast në mënyrë që largojë çdo spekulim të mundshëm.

Ahmeti ka përsëritur se procedurat kanë qenë të hapura dhe se çmimi i qumështit të blerë ka qenë më i liri në Kosovë.

Kryetari Ahmeti ka thënë se të gjitha këto shpifje organizohen nga kryetari i VV-së, Albin Kurti që sipas tij; “E gjuan gurin dhe e fsheh dorën”, ndërkohë që e ka ftuar për debat për të diskutuar për të gjitha temat.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pas përfundimit të kontratës së kaluar këtë herë e kanë pasur vetëm një ofertues i cili nuk është kompania ‘Vita’, por një kompani tjetër dhe që çmimin që e ka ofruar ka qenë 25 cent.

Duke qenë se çmimi ka qenë prej 25 centëve Ahmeti tha se nuk e kanë pasur buxhetin e mjaftueshëm prandaj e kanë anuluar atë procedurë të tenderit dhe do të shohin mundësinë që të negociojnë çmimin që e kanë pasur më herët.

Sa i përket kompanisë që ka ofertuar, kreu i Prishtinës tha se është një furnizues me shumicë dhe pakicë dhe se nuk e kanë ditur se çfarë qumështi do të ofronte, por thotë se do të mund të ishte nga Serbia.

Ahmeti ka komentuar edhe një deklaratë të LDK-së se bartja e 25 milionë eurove nga viti 2018 në 2019 është e dëmshme për qeverisjen në Prishtinë. Për këtë Ahmeti ka thënë se nuk e di ku e kanë marrë këtë shifër, pasi sipas tij, shuma do të jetë deri në 15 milionë euro. Përderisa ka theksuar se në kohën e Isa Mustafës bartja ka qenë 21 milionë euro./M.Duraku/

Loading...
 
 

    Shpërndaje


    Artikuj të sponzorizuar

    Më shumë nga KosovaPress