Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 19.11.2017 06:38

​9-vjetori i Pavarësisë bashkon qytetarët

Prishtinë | 17/02/2017 18:37

17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në sheshet e kryeqytetit mblodhi shumë qytetarë nga të gjitha vendet e Kosovës. Flamuj kuq e zi dhe ai shtetëror mbizotëronin gjithandej, në rrugë, në vetura, si dhe në duart e fëmijëve të vegjël. Nën tingujt e daulles shumë qytetarë vallëzonin, sepse kjo është një ditë për të cilën shumë dëshmorë flijuan jetën e tyre. E ku ka më mirë se të jesh i lirë në vendin tënd.

Disa qytetarë që ishin të pranishëm në sheshet e Prishtinës për të festuar një ndër ditët më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, treguan se si e shohin vendin e tyre pas nëntë vitesh pavarësi.

Blerim Saliuka, nga Drenasi tregoi që sot është hera e parë që po e feston këtë ditë në Prishtinë dhe kjo sepse ai jeton në diasporë. Sipas tij, Kosova ka ndryshuar, mirëpo jo aq sa do të duhej dhe për këtë përgjegjës janë edhe populli edhe qeveria.

“Nga Drenica, Drenasi. Për herë të parë sepse unë jam jashtë. Ka ndryshuar, qysh s’ka ndryshuar, por ka mund ma mirë me ndryshu, këtu përgjegjësi kemi të gjithë edhe populli edhe qeveritarët. Por, shpresoj që do të bëhet mirë. Çka të them tash, koha e mirë, ne po vijmë në pushime, kemi qejf të kemi kohë të mirë që sa më shumë t’i shohim njerëzit tanë”, tha Saliuka.

Ndërsa, Ramadan Mulliqi, nga kryeqyteti tha se gjatë këtyre nëntë viteve ka pasur ndryshime, por të vogla. Ai shtoi se vendit tonë i duhen ndryshime në të gjitha lëmit, veçanërisht për gjeneratat e reja, sepse sipas tij kjo është mënyra e vetme që ndalon të rinjtë të mos e braktisin vendlindjen e tyre. Sipas tij, ajo çfarë duhet të bëhet, është të largohet korrupsioni dhe të ngritët niveli i arsimit.

“Unë le e rrit qetu në Prishtinë jam prishtinali. Qe nëntë vite ka ndryshime s’po them që s’ka ndryshime, por ndryshime shumë të vogla, por çka është më e keqja që mua po më bren personalisht, është urrejtja. Ka hup besimi ndaj njëri tjetrit, e ashtu kur s’ka besim, nuk ka edhe kënaqësi, e kjo mua po me bren më shumë se kështu mirë është. Çdo send krejt lëmit kanë nevojë për ndryshime, se gjenerata e re donë me i pas standardet ma të mira, mos me bo shpërngulje në vende tjera, por me ardhur këtu  me jetu, se këtu kemi vend të madh, është një thesar që jo dy milionë, por edhe katër me jetu. Këta veç me i ndryshu ligjet me shkatërru korrupsionin edhe me e ngrit nivelin e arsimit, edukimit, e na me shku jashtë si njerëz intelektual, punëtorë, e jo me shku të ndjekur e të përndjekur”, tha Mulliqi.

Maxhun Muçaj, i cili vjen nga fshati Llukë e Epërme në Deçan, tha se e ka shprehi të vij në kryeqytet për përvjetor të pavarësisë, sepse sipas tij, çdo ditë Kosova po duket më mirë, andaj edhe shpreson në ditë më të mira për vendlindjen.

“Vij shumë herë, shpesh. Krejt ma mirë, liria ma mirë. Ka me pas edhe ma të mira. Shpresoj”, tha Muçaj.

Kurse, Rrahman Makolli nga fshati Marevc i Prishtinës, tha se sot ka dal në shesh për Ditën e Pavarësisë dhe se uron që gjithë shqiptarët kudo që janë, të jetojnë sa më gjatë dhe të bashkuar.

“Jemi dal në shesh për qejf, për Ditën e Pavarësisë, rrnofshin shqiptarët ka janë, rrnofshin edhe u bashkofshin edhe u bëftë ma mirë, u bëfshim bashkë në një vend. Ndryshon kapak, veç ka me ndryshu ka me u bo ma mirë, kadal kadal, bëhet mirë, e mira vjen kadal kadal, e keqja shpejt, e mira vjen kadal po rrnon”, tha Makolli.

Mimoza Gërguri, e cila vjen nga komuna e Istogut tha se është hera e parë që ajo ka vendosur të vijë në Prishtinë dhe të festojë 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, andaj edhe thotë që uron të ketë ndryshime pozitive për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Është hera e parë. Ka ndryshuar shumë. Ndryshime ma të bukura edhe ma të mira. Për gjithë kosovarët e Kosovës”, tha Gërguri.

Por, ka edhe qytetarë të tjerë, siç është zonja Sadije, e cila thotë që edhe pas nëntë vitesh së shpalljes së pavarësisë në Kosovë, nuk ka ndryshime të vërejtshme në të mirë të qytetarëve, por që natyrisht që shpreson të ketë në të ardhmen./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress