Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 17.01.2018 02:05

​5 vjet e pesë muaj burg me kusht për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje

Prishtinë | 03/01/2018 15:03

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke i dënuar me 5 vjet e pesë muaj burgim me kusht.

Katër të akuzuarit nuk kanë qenë të pranishëm në seancën ku u shpall aktgjykimi.

Kryetari i Trupit Gjykues, Beqir Kalludra ka shpallur aktgjykimin, duke ua shqiptuar dënimet për atë që të akuzuarit janë gjetur fajtorë, hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së punës zyrtare.

Kështu deputeti Albin Kurti dhe  deputetja Donika Kadaj Bujupi u dënuan me kohëzgjatje të njëjtë burgimi, prej 1 vit e 6 muaj burgim, Albulena Haxhiu me 1 vit e 3 muaj dhe Faton Topalli me 1 vit e 2 muaj.

“Gjykata konform dispozitave ligjore i gjykon: të akuzuarin Albin Kurti për veprën penale në vazhdimësi, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm  me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj. Për veprën penale në vazhdimësi, pengim i personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Kështu që konform nenit 80, paragrafi 2 pika 2.2 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës, të njëjtit i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj”, tha Kalludra duke lexuar aktgjykimin.

Por, dënimet e shqiptuara me burgim nuk do të ekzekutohen nëse të njëjtit, gjatë dy viteve nuk kryejnë vepra të tjera penale.

Kalludra bëri të ditur se mbrojtja ka të drejtë që brenda 15 ditësh të parashtrojë ankesë.

Avokati i Faton Topallit, Haxhi Millaku, tha se sot nuk është i rëndësishëm dënimi, duke i kushtuar vëmendje më të madhe gjetjes fajtorë të deputetëve të dënuar që sipas tij dëshmon se ka qenë intencë e Prokurorisë që këta të fundit me çdo kusht të shpallen fajtorë.

Ai theksoi se do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, prej ku presin aktgjykim lirues.

“Ne konsiderojmë se ky verdikt si i tillë nuk do të qëndrojë sepse mundësinë e ankesës ne do ta shqyrtojmë dhe Gjykata e Apelit do ta ketë rastin që ta përsërit këtë çështje ose ta rikthejë ne gjykim apo t’i shpallë të pafajshëm. Ne presim aktgjykim lirues”, tha ai.

Të katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë dënuar për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe.

Pas këtij dënimi kanë reaguar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, nënkryetari i VV-së Dardan Sejdiu, ish-kryetari i kësaj Lëvizje Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj dhe anëtarë tjerë të kësaj Lëvizje. Në lidhje me vendimin që ka marrë sto Gjykata Themelore në selinë e VV në orën 15:00 do të mbahet një konferencë për media./KosovaPress/


 

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress