Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 27.07.2017 08:41

​Bërkoviq: Unë dhe Ali Podrimja kemi ëndërruar së bashku

Prishtinë | 14/05/2015 14:11

Çmimi ndërkombëtar për letërsi "Ali Podrimja" i Universitetit AAB, sivjet iu nda shkrimtarit të shquar malazias Jevrem Bërkoviq, njërit nga, sipas Jurisë për ndarjen e Çmimit, krijuesit më të mëdhenj të kohës së ish-Jugosllavisë dhe të gjithë rajonit.

Çmimi, i cili mban emrin e poetit të madh kosovar, njërit nga më të shquarit të letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndahet çdo vit nga kolegji AAB për të arritura kulminante në fushën e letërsisë.

Me ceremoninë e sotme, e cila u organizua nga AAB dhe Shoqata e Malazezëve të Kosovë,po ashtu u shënua edhe hapja e Ditës së Malazezëve në Kosovë.

Fituesi i sivjetëm Bërkoviq, i cili njihet edhe si mik i madh i kombit shqiptar, në fjalimin e tij, tha se kjo ditë është madhështore për të, por, njëkohësisht edhe e dhimbshme që nuk e ka pranë mikun e tij të ngushtë, Podrimjen. Ai thuajse tërë fjalimin e tij ia kushtoi Ali Podrimës, duke treguar për miqësinë dhe lidhjen që kishin së bashku, duke e përmendur edhe ëndrrën që e kishin për pavarësinë të këtyre dy shteteve.

“Vëllam Ali Podrimja, kemi ëndërruar dhe ëndërronim me verë e pa verë se do të vinte dita kur Mali i Zi, shteti i vjetër do të përtëritej dhe do të përtërinte shtetësinë e vet dhe Kosova jote më në fund do të fitonte shtetësinë dhe do të njihej ndërkombëtarisht. Atëherë premtoja se ne malazezët do të ishim të parët që do e pranonim, dhe ishim ndër të parët. Ka ardhur ajo kohë kur nga Mali im i Zi, prej nga pas dy atentatesh m’u desh të emigroja. E atje sot s’ka më as atentator serioz. E bëra këtë përmes Shqipërisë, ku strehova familjen, duke e ditur se atje ishin më të sigurt”, tha mes tjerash Bërkoviqi.

Lulzim Tafa, rektor i Kolegjit AAB, njëherit edhe anëtar i jurisë, duke ua uruar malaziasve Ditën e Pavarësisë së tyre, tha se Bërkoviqi është një miku i shqiptarëve në ditët e vështira.

“Te ne shqiptarët ekziston një thënie “Miku i mirë, në ditë të vështirë”, andaj mund të themi se Jerven Bërkoviq është miku ynë i mirë i ditëve të vështira, është miku i Kosovës dhe i shqiptarëve në ditët e vështira, prandaj është miku ynë i mirë”, tha Tafa.

Ndërsa, malazezët e Kosovës kishin zgjedhur këtë ditë që të bëjnë edhe hapjen e ceremonisë së Ditës së tyre në Kosovë, në prag të nëntë-vjetorit të pavarësisë së këtij shteti, e cila është më 21 maj. Një gjë e tillë u bë pikërisht për të pasur mundësinë që t’i kenë të pranishme edhe figurat më të ndritshme të Malit të Zi, në ditën e tyre më të rëndësishme.

Për t’i nderuar ata, foli kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili ua uroi pavarësinë e Malit të Zi dhe foli për raportet fqinjësore që ka ky shtet me Republikën e Kosovës dhe impaktin qe e kanë këto dy shtete drejt integrimit evropian. Ai tha se marrëdhënia në mes këtyre dy vendeve është shembull pozitiv për të gjithë rajonin.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se rrënjët e miqësisë në mes malazezëve dhe popullit të Kosovës janë shumë të thella.

“Diversiteti që kanë Republika e Kosovës dhe Republika e Malit të Zi janë përparësi të shteteve tona, sepse të jetosh në diversitet do të thotë të jetosh në mënyrën Evropiane dhe këto fjalë që i tha shkrimtari i famshëm Bërkoviq për shkrimtarin tonë të famshëm Ali Podrimja, tregojnë se rrënjët e miqësisë në mes popullit malazias dhe popullit të Kosovës janë shumë të thella dhe asnjëherë nuk i ndërpremë, pa marrë parasysh regjimet politike dhe ideologjitë që nganjëherë kanë krijuar ndarje”, tha Bajrami.

Nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës thanë se kjo ceremoni është njëra ndër dëshmitë më të mira për mundësitë e institucioneve të Kosovës që sa më shpejt ta rregullojnë statusin e tyre kushtetues./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress