Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 17.01.2018 02:09

​Shqipëri, prodhimi kombëtar do të zgjerohet me 4.2%

| 01/01/2018 09:44

Buxheti i vitit 2018 sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj përcjell dy mesazhe kryesore: rritje ekonomike e lartë që krijon mirëqenie dhe ulje e rëndësishme e borxhit.

Qeveria ndërkohë parashikon që këtë vit prodhimi kombëtar të zgjerohet me 4.2%. Të ardhurat në buxhetin e viti 2018, llogariten të shkojnë në 464.2 miliardë lekë, ose 6.3% më shumë se në vitin që lamë pas. Shtimi i të ardhurave nuk bazohet në rritje taksash.

Shpenzimet gjatë vitit që sapo ka trokitur parashikohen 496.6 miliard lekë. Brenda tyre rritjen më të lartë e kanë investimet publike që shkojnë mbi 5% e PBB-së, ose 86.1 miliardë lekë.

Brenda investimeve publike, vetëm mbështetja për infrastrukturën do të rritet me 42%, krahasuar me 2017-ën.

Ndërsa borxhi publik për këtë parashikohet të ulet me 2.5% nga niveli aktual duke zbritur në 68.6% e PBB-së. Defiçiti buxhetor për vitin 2018 planifikohet të jetë në nivelin 2% të PBB-së.

Për të tretin vit radhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.6%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të tretin vit radhazi.

Por si ndahen paratë publike sipas sektorëve

Pjesën më të madhe e merr mbrojtja sociale. Qeveria do të shpenzojë 148.6 miliardë lekë për pensionet, ndihmën ekonomike dhe transfertat e tjera sociale për shtresat vulnerabël.

Shëndetësia është portofoli i dytë më i madh i shpenzimeve publike. Në vitin 2018 buxheti i shtetit do të shpenzojë rreth 48.6 miliardë lekë për sistemin shëndetësor, ku përfshihen shpenzimet për spitalet publike, rimbursimi i barnave si dhe pagesat e koncesioneve.

Çështjet ekonomike do të marrin mbi 45.7 miliardë lekë, ndërsa arsimi në tjetër sektor prioritarë merr 41 miliardë lekë.

Buxhetit të rëndësishëm merr edhe rendi dhe siguria publike, rreth 28.8 miliardë lekë, ndërsa për mbrojtjen Qeveria do të shpenzojë rreth 11.6 miliardë lekë.

Pjesa e mbetur e buxhetit shkon për strehimin dhe komoditetet e komunitetit, ose janë shpenzime të paklasifikuara.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress