Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 11.12.2017 12:18

​OAK: Akciza e naftës në Kosovë, më e larta në rajon

Prishtinë | 06/12/2017 14:12

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit “Tregu i naftës në Kosovë”, organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, ku u diskutuan temat për ligjin e naftës, kontrollin e cilësisë dhe sasisë së naftës, licencat, kyçja në rrugë dhe ndotja e ambientit nga përdoruesit e naftës si dhe për akcizën.

Drejtori ekzekutiv në OAK, Ismet Mulaj, ka thënë se OAK do të jetë një avokat dhe zë i fuqishëm për operatorët ekonomikë të naftës dhe këtij sektori për rregullimin e kësaj fushe që ky sektor të jetë më i besueshëm te konsumatori.



Sherif Sherifi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se për cilësinë e naftës është kompetent Dogana e Kosovës me trupat e saj në kufi, ndërsa, brenda për brenda territorit të Kosovës, kompetencë ekskluzive është e inspektoratit të tregut ta bëjë kontrollin e cilësisë së naftës dy herë në vit tek subjektet ekonomike.



Zëvendësministri i Financave, Hyzer Gashi, ka thënë se në mungesë të një vullneti ende ka probleme dhe barriera për zhvillimin e veprimtarinë e tregut të naftës, mirëpo tha se janë të interesuar që të bëjnë zgjidhje në mënyrë ligjore efikase për një ekonomi të tregut për një barazi dhe zhvillim real. Ai ka thënë se asnjë subjekt të mos ngarkohet padrejtësisht.

Sipas tij, informaliteti do të zhduket dhe do të bëhet një treg dhe ekonomi e lirë, duke vijuar në rrugën e Bashkimit Evropian.



Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se të gjithë janë të interesuar për një treg liberal, mirëpo kjo nuk po arrihet shkak i mungesës së ligjit, i cili nuk po arrin të miratohet në Kuvend. Ai ka thënë se sa i përket ndotjes së ambientit ka thënë se ky sektor nuk është dëmtues i ambientit.



Ndërsa, kryetari i OAK Skënder Krasniqi,  ka thënë se akciza e naftës në Kosovë është dukshëm më lartë se ajo në vendet e rajonit, e cila po ndikon në çmimin e lartë të derivateve në Kosovë.  Ai mori shembull se shumë qytetarë kosovarë shkojnë në Maqedoni për t’u furnizuar me derivate për shkak të çmimit më të ulët. Krasniqi po ashtu ka kërkuar sqarime si është e rregulluar ligjërisht çështja e distancës ndërmjet pompave në Kosovë.



Sherif Sherifi nga MTI ka thënë se me ligj nuk është e paraparë distanca e pompave për pikat e tyre të shitjes së derivateve.

Naftëtarët u shprehën se shteti dhe qytetarët po i konsiderojnë si biznese të kriminalizuara, mirëpo  thanë se operojnë ndershëm dhe janë mbushës të buxhetit të shtetit.

Besnik Sadiku nga Hib Petrol, ka thënë se të gjitha dyshimet për krim në sektorin e naftës janë rezultuar se nuk qëndrojnë me kontrollet që janë bërë nga MTI.



Tahir Zogaj nga “Al petrol” ka thënë se duhet sa më parë të hiqet TVSH-ja në kufi për naftëtarët, sepse nuk e ka asnjë shtetet tjetër.

Në fund OAK adresoi disa rekomandime se si operatorët e këtij sektori të jenë më të suksesshëm në veprimtarinë e tyre./KosovaPress/

 

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress