Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 25.11.2017 03:16

​Nisin hetimet për çmimet e importit të vezëve

Prishtinë | 15/07/2017 10:21

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pritet të fillojë hetime kundër dampingut të importit të vezëve.

Këtë vendim MTI-ja e  ka marrë pas ankesave të përfaqësuesve të Shoqatës së Shpeztarëve të Kosovës , të cilët kanë shprehur dyshime për vezët të cilat importohen nga Shqipëria në tregun e Kosovës shiten më lirë se sa në Shqipëri.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Sytrime Dervisholli , drejtore në Departamentin e  Tregtisë në MTI.

Dervisholli ka treguar se sipas ligjit për masat antidampingut vendimi do të merret brenda 90 ditëve.

 Por ajo shpreson që vendimi të merret shumë më shpejt se afati i paraparë me ligj. Ajo thotë se MTI-ja, është duke u munduar që të mbrojë kompanitë kosovare dhe se në kohë sa më të shpejtë të marrin masa ndaj dukurive negative që u shfaqen bizneseve. Ajo ka treguar edhe rastet e tjera që MTI-ja i ka trajtuar.

Ligji për antidamping , sipas saj, i cek shumë qartë gjitha dispozitat dhe veprimet të cilat duhet t’i merr MTI-ja , Departamenti i Tregtisë në bashkëpunim me komisionin ndërinstitucional apo ndërqeveritar që përbëhet nga ministri të ndryshme dhe cilat e analizojnë situatën paraprakisht .

Sipas saj, obligimi i parë që del nga ligji është që të bëhet hulumtimi paraprak në mënyrë që të vijnë me një përfundim nëse ka indikacione të mjaftueshme me filluar hetime zyrtare.

Kryetari i Shoqatës së Shpeztarëve të Kosovës, Sabit Rama, nuk ka dashur në këtë fazë të flasë duke thënë se derisa të përfundojë hetimi nga MTI-ja. “Ne e kemi bërë ankesën me dyshimet tona, tani mbetet punë e MTI-së”, tha Rama.

Por në Doganën e Kosovës nuk evidentohen raste të tilla. Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganës së Kosovës, ka thënë se dogana në rastet kur MTI e informon dhe kur vërejnë se ka çmime më të ultë se sa që shiten nga vendi i origjinës atëherë i ndalon.


Ndryshe shpeztarët kanë protestuar disa herë para Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës duke kërkuar që të hetohet importi i vezëve nga Shqipëria pasi që po i dëmton fermerët e vezëve në Kosovë.

Ndryshe, me  ligjin antidamping dhe masat kundërbalancuese  përcaktohen rregullat dhe procedurat për vendosjen e masave antidamping ndaj importeve, të cilat janë objekt i dampingut, si dhe masave kundërbalancuese ndaj importeve të subvencionuara, me qëllim të mbrojtjes së industrisë vendore dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Ky ligj zbatohet për masat antidamping dhe kundër balancuese kundër një produkti të importuar, i cili është i dampuar apo përfitues nga subvencionet e Qeverisë ose një autoritet publik i vendit eksportues ose vendit të origjinës, me kusht që ky import i një produkti shkakton ose kërcënon të shkaktojë dëm material ndaj industrisë vendore të Republikës së Kosovës.

 Masat antidamping dhe/ose kundërbalancuese vendosen vetëm pas respektimit të procedurave përkatëse dhe kryerjes së hetimeve në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj. /KosovaPress/


 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress