Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 15.09.2019 07:20

​Trepça, borxhliu më i madh i KPMM-së

Prishtinë | 21/05/2019 16:47

Komisioni për Zhvillim Ekonomik e ka shtyrë votimin e vendimit të Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike "Telekomi i Kosovës".

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar raporti hetues për Telekomin.

Anëtari tjetër i komisionit Memli Krasniqi u shpreh kundër heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

Ndërsa, deputeti Muharrem Nitaj tha se po humbet kohë nëpër mbledhje dhe nuk ka asnjë rezultat lidhur me vendimin për privatizimin e Telekomit.

Kryetarja e Komisionit, Sala Berisha-Shala, tha se Kuvendi vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset hetimore. Sipas saj, debati parlamentar nuk do të duhej të mbahet derisa është duke punuar Komisioni hetimor.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik sot ka shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale - KPMM për vitin 2018, për të cilin ka raportuar Musa Shabani, kryetar i Bordit i KPMM-së.

Shabani vuri në pah një problem, ngase gjysma e borxheve ndaj KPMM-së sa janë mbi 25 milionë euro, janë të Kombinatit Trepça.

Ndërsa, anëtari i këtij Komisioni Memli Krasniqi ka kërkuar shpjegime për dekurajimin e investitorëve në fushën e minierave për shkak të kufizimit për shfrytëzimin e tokave jo më gjatë se 5 vjet. Krasniqi u interesua edhe për procesin e krijimit të një zyre të vetme “One Stop Shop”.

Edhe Shabani theksoi se kohëzgjatja e licencave është sfidë dhe i dekurajon  investitorët në fushën e minierave, pasi Ligji për Miniera dhe Minerale parashikon që licencat e shfrytëzimit të kenë kohëzgjatje deri në 25 vjet, kurse ato për minerale dhe energjetike 35 vjet.

Ai përmendi edhe udhëzimin administrativ nga Ministria e Bujqësisë, të cilën e aplikon Agjencia e Pyjeve të Kosovës, e që nuk jep sipërfaqe në shfrytëzim më shumë se pesë hektarë dhe me kohëzgjatje më shumë se pesë vjet. Kjo sipas Shabanit, kufizon mundësitë e zhvillimit të industrisë së minierave moderne. /KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress