Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Demokracia Plus dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese “Birn Kosova”, për integritetin në Administratën Tatimore të Kosovës.
Visar Rushiti, analist i politikave në Demokraci Plus, ka prezantuar të gjeturat e raportit, derisa ka shtuar se prej 15 rekomandimeve që ka pasur raporti i kaluar, shtatë prej tyre janë marrë parasysh, pesë janë në proces të përfundimit dhe dy nuk janë marrë parasysh fare.
Sipas tij, Ligji për Shërbyesit Civil dhe tashmë ai për Zyrtarët Publikë, ka paraqitur problem në interpretim, marrë parasysh mungesën e akteve nënligjore që dalin nga këto ligje.
Rushiti tha se gjatë rekrutimit të inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, ka pasur përzgjedhje edhe të atyre që kanë lidhje me politikën .
Megjithatë drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Myrtezaj ka mohuar një gjë të tillë.
Myrtezaj tha se përkundër mos ekzekutimit të shpenzimeve kapitale, në vlerë rreth 447 milionë euro për 11 muaj, e të cilat sipas tij do të kishin prodhuar detyrimin tatimor, në mungesë të tyre siç deklaroi ai, të hyrat kanë qenë më të vogla.
Krahas kësaj, kryeredaktori i kallxo.com, Kreshnik Gashi tha se është sfidë puna me Administratën Tatimore të Kosovës, shoqëria civile siç tha ai, e ka për detyrë të luajë rolin e mbikëqyrësit të institucioneve. E kur e kanë filluar procesin e monitorimit, ai tha se synimi ka qenë të ketë 10 deri 20 raportime gjatë vitit për shmangie tatimore.
Zëvendës ambasadori i Britanisë së Madhe, Jacob Webber tha se ATK përveç që është institucion i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave tatimore, është institucion kyç edhe për ruajtjen dhe rritjen e ekonomisë.
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se duhen ndryshime të nevojshme të legjislacionit, pasi zyrtarët publikë bëjnë raportimin e pasurisë çdo vit, dhe nuk ndërmerret asgjë kundër tyre. Ai tha se ATK duhet të shohë se a po e paguajnë tatimin këta të fundit.
Në këtë raport thuhet se komisioni disiplinor ka mbajtur 7 seanca, por nuk ka pasur ftesë për monitorim.
Sipas ATK-së, gjatë periudhës janar-tetor 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ka një rritje prej 10,4 për qind në mbledhje të të hyrave, po ashtu ka pasur rritje prej 32 për qind, dhe rrjedhimisht i bie që stoku i borxhit ka rënë 5,6 për qind. /KosovaPress/
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019