Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 20.09.2019 04:57

​Shala: Kemi nevojë për një sistem metrologjik të njohur në nivelin ndërkombëtar

Prishtinë | 17/05/2019 12:52

Mos anëtarësimi i sistemit metrologjik të Kosovës në nivelin ndërkombëtar po pamundëson konkurrencën e brendshme dhe të jashtme të bizneseve që operojnë në vend.

Për të evituar këtë problem, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka aplikuar për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM).

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se vendi ka nevojë të ketë një sistem metrologjie të njohur në nivelin ndërkombëtar, prandaj anëtarësimi i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) në BIPM është i një rëndësie të veçantë.

Këtë deklaratë ministri Shala e bëri me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Metrologjisë, ku theksoi se nevojitet ndihma e miqve që AMK të jetë shtyllë e Republikës së Kosovës.

Ai tha se fuqizimi i mëtutjeshëm i metrologjisë kosovare është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të përmbushur kriteret e parapara me MSA dhe ERA e mbi të gjitha për të rritur standardin e jetës së qytetarëve.

Ai bëri të ditur se gjatë fund vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti kanë nisur inspektimet e paparalajmëruara për matjen e peshës së bukës, me qëllim kryesor mos lejimin e mashtrimit për qytetarët e vendit.

Teksa bëri të ditur se me qëllim të përkrahjes të bizneseve vendore kanë aplikuar për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i AKM-së, Ferki Fejza, u shpreh optimist se agjencia që ai e udhëheq do të anëtarësohet deri në fund të këtij viti në BIMP. Ai tha se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është i vetmi agjencion përgjegjës për fushën e metrologjisë dhe metaleve të çmuara.

Kurse përfaqësuesi i projektit të Bankës Botërore, Gazmend Mejzini, tha se prodhimi i mallrave dhe shërbimeve që plotësojnë standardet ndërkombëtare janë mënyra më e mirë që kompanitë vendore të konkurrojnë për të zënë vend në hapësirën globale. Teksa foli për projektin.

Në fund, ministri Shala tha se në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kosova do të marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin horizontal dhe sektorial të BE-së për sigurinë e produktit dhe të sjellë infrastrukturën e cilësisë, siç janë procedurat Evropiane të standardizimit, metrologjisë, akreditimit dhe vlerësimit të konformitetit. /KosovaPress/ 

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress